Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i “Ibër-Lepencit” dhe Hysen Muzliukaj, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, Hysen Muzliukaj, janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishin në pozita udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës. Prokuroria Speciale ka njoftuar se pas bastisjes në dy prona të të dyshuarve ka gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro
Është arrestuar Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i “Ibër- Lepencit”, dhe Hysen Muzliukaj, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, nën dyshimin për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ata dyshohen për vepra penale të kryera në kohën kur Mujka ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës dhe Muzliukaj, drejtor në Kadastër e Gjeodezi, gjatë qeverisjes së Agim Bahtirit.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy personat e ndaluar, të pandehurit F.M. dhe H.M., në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Gjatë ditës Policia Speciale ka kryer bastisje në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë aksionit ka sekuestruar 60 mijë euro.
“Njësia e Veçantë e Hetimeve ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera, është gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) eurosh”, thuhet tutje në njoftim.
Në deklarimin e fundit të pasurisë Mujka i ka raportuar si para të gatshme gjithsej 690 euro, ndërsa Muzliukaj 500 euro.
Sipas Prokurorisë Speciale, në maj të vitit 2022 janë pranuar informacione lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga të dy të arrestuarit.
KOHA nuk ka arritur që të kontaktojë përfaqësuesit ligjorë të dy të arrestuarve, për ta marrë versionin e tyre mbi dyshimet.
E në Ministrinë e Bujqësisë kanë konfirmuar për KOHËN se ministri Faton Peci e ka liruar Muzliukajn nga detyra e këshilltarit deri në kohën sa drejtësia ta thotë fjalën e fundit.
“Ministri Faton Peci, derisa drejtësia ta thotë fjalën e fundit, z. Muzliukaj e ka liruar nga detyra”, ka thënë Flutur Mustafa-Pllana, shefe e Kabinetit në Ministrinë e Bujqësisë.
E në ndërmarrjen e “Ibër-Lepencit” nuk kanë treguar nëse Mujka është dorëhequr apo do të shkarkohet nga Bordi.
Në dhjetor të vitit të kaluar KOHA ka raportuar se si Mujka është zgjedhur kryeshef ekzekutiv pa e përmbushur një pikë të konkursit, e cila u kërkonte kandidatëve që në 36 muajt para aplikimit të mos ishin bartës të ndonjë posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike. E njëjta përmbajtje ndodhej edhe në deklaratën nën betim që e ka firmosur Mujka, të cilën çdo kandidat gjatë aplikimit për pozitën si kryeshef duhet ta nënshkruajë, ani se deri para një viti ai e ka drejtuar degën e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë