LAJMET E MBRËMJES

Aplikacioni i Kosovës largohet nga agjenda e Komitetit Politik të Këshillit të Evropës

Kërkesa e Kosovës për të marrë statusin e mysafires speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është hequr të mërkurën nga rendi i ditës. Delegacioni kosovar e ka quajtur këtë zhvillim të papritur e Serbia ia ka faturuar politikës së saj këtë bllokim

Kosova nuk ka arritur të marrë statusin e mysafires speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Aplikacioni i Kosovës është hequr nga agjenda si pikë e rendit të ditës të Komitetit, në takimin e mbajtur të mërkurën në Paris.

Anëtarja e delegacionit të Kosovës pranë Këshillit të Evropës, Ariana Musliu-Shoshi, e cilësoi këtë si zhvillim të papritur.

“Sot, në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, morëm pjesë si delegacion, ku në agjendë ishte edhe opinioni për ngritjen e statusit të Kosovës në këtë organizatë. Në fillim të takimit, me kërkesë të kryetarit të Grupit të EPP, Pablo Hispán, u votua për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës, një zhvillim i papritur që nuk ishte paraparë as në grupet politike dhe as si mundësi. Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar ajo.

E gjithë këtë, Serbia ia faturoi vetes si sukses. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, falënderoi shtetet që e përkrahën heqjen e Kosovës nga rendi i ditës.

“Mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Spanja, mirënjohje e madhe për miqtë tanë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), të cilët na ofruan mbështetje në mënyrë që ta kishim shumicën për të arritur ta heqim këtë pikë nga rendi i ditës i Komitetit politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës", ka vlerësuar Bërnabiq.

Asambleja Parlamentare mund t’ua japë statusin e mysafirit të veçantë parlamenteve kombëtare të vendeve evropiane që nuk janë shtete anëtare, por të cilat kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarët e delegacionit të mysafirit special mund të ulen në Asamblenë Parlamentare, por nuk kanë të drejtë vote. Kanë të drejtë të mbajnë edhe fjalime.

Kosova nuk ia doli të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2024, pasi votimi final u kushtëzua me dërgimin e draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në Kushtetuese.