LAJMET E MBRËMJES

Anushiq: Jashtëzakonisht e rëndësishme prania e trupave amerikane në KFOR

Në ditën e dytë të konferencës së sigurisë në Munih, kryeministri Albin Kurti, ka diskutuar mbi çështjen e mbrojtjes dhe të sigurisë me ministrin kroat të Mbrojtjes, Ivan Anushiq, dhe me atë të Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan. Kosova u bë temë diskutimi edhe në takimin që ministri kroat Anushiq e pati me zëvendësndihmëssekretarin amerikan për Mbrojtje, Politika Evropiane dhe NATO-n, David Baker. Me këtë rast, Anushiqi e ka vlerësuar me rëndësi të jashtëzakonshme praninë e trupave amerikane në Kosovë

Edhe përfaqësues të shteteve të rajonit kanë shtruar nevojën që Shtetet e Bashkuara t’i mbajnë trupat ushtarake në Evropë, e veçmas në Kosovë, pas paralajmërimit të presidentit Donald Trump për mundësinë e tërheqjes së tyre.

Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan, Anushiq, e ka theksuar këtë në takimin që e ka realizuar të shtunën me zëvendësndihmëssekretarin amerikan për Mbrojtje, Politika Evropiane dhe NATO-n, David Baker.

“Në mënyrë të veçantë theksova se çelësi i sigurisë në Evropën juglindore është Kosova dhe se prania amerikane në KFOR është jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka thënë Anushiq, në takimin që është mbajtur në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih.

Anushiq gjatë së shtunës është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Bashkëpunimi ndërshtetëror në fushën e industrisë së mbrojtjes, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ka qenë temë qendrore e diskutimit në këtë takim.

“Krahas marrëdhënieve bilaterale, bashkërendimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit të deritanishëm në fushën e mbrojtjes, diskutuan rreth mundësive të reja për bashkëpunim në fushën e industrisë së mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Në margjina të Konferencës së Sigurisë, Kurti e ka trajtuar edhe zhvillimin e industrisë shtetërore të mbrojtjes.

Ai e ka takuar edhe ministrin e punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, për mbështetjen në zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes, duke iu referuar nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë turke “MKE” për funksionalizimin e fabrikës së municioneve.

Kryeministri në detyrë ka shprehur mirënjohjen edhe për mbështetjen që Turqia ia jep Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Kryeministri tha se Turqia është partner dhe aleat i Kosovës me të cilin kemi marrëdhënie bilaterale të forta dhe bashkëpunim të afërt në shumë fusha, përfshirë ekonomi dhe mbrojtje. Ai e falënderoi ministrin Fidan për mbështetjen e Turqisë për Kosovë në rrafshin ndërkombëtar, kontributin në sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it dhe partneritetin në zhvillimin e industrinë vendore të mbrojtjes me marrëveshjen e nënshkruar me kompaninë turke MKE për funksionalizimin e fabrikës së municionit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Çështja e mbrojtjes dhe sigurisë është trajtuar edhe në takimin që presidentja Vjosa Osmani ka realizuar në Munih me komandantin suprem të Forcave Aleate për Evropë në NATO, gjeneralin Christopher Cavoli.

Ajo e ka vlerësuar të pazëvendësueshëm rolin e NATO-s në Kosovë.

“Diskutuam mbi rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në Kosovë gjatë 23 vjetëve të fundit në mbrojtje të sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë kohë përcaktuese për kontinentin evropian, riafirmova përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për një bashkëpunim të ngushtë me aleancën, duke kontribuar aktivisht në sigurinë e rajonit dhe më gjerë”, është cituar Osmani, në njoftimin që Presidenca e ka lëshuar për këtë takim.

Osmani gjatë ditës ka takuar edhe presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics, e gjatë të cilit temë qendrore ka qenë siguria.

“ Si dy shtete në frontin e parë të ruajtjes së demokracisë, Kosova dhe Letonia janë të paluhatura në angazhimin për siguri, paqe dhe vlerat që na bashkojnë”, është cituar Osmani në njoftimin e Presidencës. “Mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Letonisë në rrugëtimin tonë euroatlantik”.

Osmani është takuar edhe me delegacionin e kongresistëve amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Munih.

“Mbështetja e Kongresit Amerikan ka luajtur një rol kyç në shkrimin e historisë së Kosovës së lirë, të pavarur dhe sovrane. Kjo mbështetje vazhdon edhe sot, ndërsa punojmë së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që thellojnë dhe fuqizojnë më tej aleancën tonë historike”, ka thënë ajo.

Çështjet e sigurisë përbëjnë brengë për Evropën, prejse Donald Trump është konfirmuar president i SHBA-së.

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, mund të lajmërojë tërheqjen e “një pjese të madhe” të ushtarëve të stacionuar në Evropë, ka thënë një ditë më parë diplomati Christoph Heusgen, i cili është kryesues i Konferencës së Sigurisë në Munih.

“Supozoj se zëvendëspresidenti amerikan do të njoftojë tërheqjen e një pjesë të madhe të trupave amerikane nga Evropa, dhe se Evropa duhet ta marrë përsipër detyrën (për ta mbrojtur veten)”, ka thënë ai.

Janë rreth 100 mijë trupa amerikane të vendosura në kontinentin e Evropës, pjesa më e madhe e të cilëve si të përhershëm.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it janë mbi 600. E, baza më e madhe amerikane është Bondsteel, që ndodhet në Ferizaj.