Pas raportimit të KOHËS për rrjedhje të pyetjeve të testit me shkrim për pranimin e 7 infermierëve në Lipjan është anuluar testi, të cilit iu nënshtruan 104 kandidatë. Opozita në këtë komunë ka kërkuar aktivizimin e prokurorisë dhe dorëheqjen e drejtorit të Shëndetësisë
Është anuluar testi me shkrim i konkursit për pranim të shtatë infermierëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Lipjanit, pas raportimit të KOHËS të dielën se pyetjet e testit u shpërndanë në një grup një ditë para se ai të mbahej.
Testi ishte mbajtur më 28 tetor në orën 10, ndërsa kandidatja e cila është pranuar në listën e ngushtë pas testimit, ka kërkuar ndihmë paraprakisht në mesnatë, në grupin “Infermieria”, për radhitjen e përgjigjeve të pyetjes.
Komisioni përzgjedhës e ka arsyetuar vendimin e anulimit të testit me “gabime teknike”, që janë paraqitur gjatë testimit me shkrim.
“Ky anulim i testit me shkrim është i bazuar sipas Rekomandimit të Kryesisë të komisionit për arsye se janë paraqitur disa gabime teknike gjatë testit me shkrim, gjatë procedurave të testimit me shkrim dhe për këtë arsye anulohet testi me shkrim i mbajtur 28.10.2023”, thuhet në vendim.
Anëtarët e Komisionit që përpiluan testin me shkrim, nuk kanë pranuar të flasin për rrjedhjen e tij te disa kandidatë. Ky komision përbëhet nga kryesuesja Violeta Bunjaku dhe anëtarët Mirëjeta Cakolli Bajqinca, Ilir Rizani, Fatmire Retkoceri dhe Shie Lekaj.
Shkelzen Hajdini, drejtori i Shëndetësisë, ndonëse nuk pranoi të prononcohet, konfirmoi se anulimi i testit me shkrim është bërë për shkak të fakteve në raportim dhe jo se ka pasur “gabime teknike”.
E, opozitarët në Lipjan kanë deklaruar se duhet shkarkuar drejtori i Shëndetësisë dhe të aktivizohet Prokuroria.
“Kjo vetëm është një aksident nëse mund ta quaj i tyre, që u kanë rrjedhë pyetjet dhe e shpërfaq krejt mënyrën se si shkon punësimi në Komunën e Lipjanit, jo vetëm në sektorin e shëndetësisë, por në të gjithë sektorët. Do të thotë është e pamundur të punësohet një person që nuk është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Shahadije Bikliqi-Dragaçina, asamblistë e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan.
Në konkursin për 7 infermierë konkurruan 140 kandidatë, e 104 nga ta iu nënshtruan testit me shkrim. Nga ta 28 u pranuan në listën e ngushtë.
Pas anulimit të testimit shkaku i rrjedhjes së pyetjeve, kandidatët do t’i nënshtrohen ritestimit.