LAJMET E MBRËMJES

“Amnesty International”: Kosova dështoi në fushat kyç të të drejtave të njeriut

Kosova ka dështuar t’i adresojë një sërë çështjesh kyç në fushën e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2024, thuhet në raportin e fundit të organizatës “Amnesty International”. Mungesa e progresit në drejtësi për rastet e krimeve të luftës, e trajtimit të personave të zhdukur, të drejtave të komunitetit LGBTI dhe sfidat në shëndetin riprodhues janë mes çështjeve që kjo organizatë ndërkombëtare e të drejtave të njeriut i ngriti në raportin vjetor

Sfida e dështime institucionale në çështje të ndjeshme, si drejtësia për krimet e luftës, për të drejtat e komunitetit LGBTI, si dhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës ka evidentuar organizata “Amnesty International”, në raportin për vitin 2024 mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. 
Si një prej dështimeve, raporti përmend mungesën e progresit në adresimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999. 

“Mbeten të zhdukur mbi 1.600 persona nga konflikti i viteve 1998-99 në Kosovë, me një pandëshkueshmëri të vazhdueshme për autorët e dyshuar të zhdukjeve të tyre. Një marrëveshje e vitit 2023 midis Kosovës dhe Serbisë për të bashkëpunuar në gjetjen e personave që u zhdukën midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, nuk u zbatua për shkak të marrëdhënieve të tendosura midis dy vendeve”, thuhet në raport. 

Raporti cek po ashtu bllokimin e përpjekjes së Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, tek thekson se kësisoj qytetarët e saj u privuan nga qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 

“Komiteti i Ministrave e shtyu votimin për anëtarësimin e Kosovës, pasi Kosova refuzoi një kërkesë të minutës së fundit nga disa vende anëtare që së pari të krijonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në raport.

“Amnesty International” kritikoi institucionet për dështimin në përmbushjen e premtimit për respektimin e të drejtave të komuniteteve të margjinalizuara, si dhe për mosmiratimin e Ligjit për Kodin Civil. 

Kritika u shprehën edhe për mosmiratimin e Ligjit për Shëndetin Riprodhues i cili, sipas raportit, i privoi gratë nga e drejta për fertilizim in vitro edhe në spitale publike. 

“Qasja në IVF vazhdoi të jetë e qasshme vetëm në klinika private, pas një tjetër tentimi të dështuar në parlament për ta kaluar ligjin për shëndetin riprodhues që do ta mundësonte shërbimin e IVF-it në spitale publike”, thuhet në raportin vjetor të AI.

Aty gjithashtu thuhet se debati në Parlament është ndjekur me “dezinformata dhe gjuhë të urrejtjes ndaj grave beqare nga disa deputetë”.

Deputetët e legjislaturës së kaluar kanë kundërshtuar këtë ligj, duke u thirrur në besimin e tyre se kështu e mbrojnë “familjen si institucion” dhe se IVF-ja duhet të jetë opsion vetëm për çiftet e martuara heteroseksuale.

Të njëjtit deputetë - bashkë me disa të tjerë - kanë kundërshtuar edhe kalimin e Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës - i cili megjithatë nuk është sjellë për miratim në Kuvend që nga viti 2022.

Edhe në raportet e shkuara “Amnesty International” evidentoi sfida të ngjashme në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Më 2021 organizata ceku përparime të kufizuara në fushën e ndjekjes penale të krimeve të luftës tek e theksoi mungesën e mbështetjes për viktimat e dhunës në familje.

Në raportin e 2022 u cek rritja e rasteve të dhunës në familje, si dhe mungesa e përparimit në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. E më 2023 u kritikua mungesa e mbështetjes shtetërore për të mbijetuarit e dhunës në familje, në atë që theksohej se i ka detyruar shumë prej tyre të kthehen në mjedise abuzive.