Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar që të shtyhet vendimi për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, duke thënë se e respekton Kushtetutën, por se “nevojitet kohë që serbët të mësohen me këtë”. Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka thënë se Rregullorja e re nuk e kufizon këmbimin e çfarëdo valute.
Një ditë pasi vendet e QUINT-it kërkuan nga ekzekutivi që të shtyhet rregullorja e re e BQK-së, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka vizituar këtë institucion.
Pas takimit me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ambasadori Hovenier është shprehur se BQK-ja e ka autoritetin e plotë për vendime të tilla, por që zbatimit i vendimit duhet të shtyhet.
“Vendimin e ka marrë BQK-ja si institucion i pavarur dhe kam pasur rastin të takohem me kreun e Bankës Qendrore. Shtetet e Bashkuara absolutisht e pranojnë Kushtetutën e Kosovës...Ne presim që Kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht. Në këtë rast të veçantë, ne besojmë se këto rregullore mund të kenë pasoja që nuk janë menduar plotësisht. Pra, ajo që ne po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave për të dhënë pak kohë për t'u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullsitë e prekura të mos ndikohen negativisht”, ka theksuar ai.
Komentet ambasadori i bëri pasi mori pjesë në përurimin e nyjave qendrore arsimore në kuadër të RIT Kosova, të cilat mbështeten nga USAID-i
Ka theksuar se ky vendim i BQK-së nuk duhet të ndikojë negativisht tek qytetarët.
E guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka thënë se rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në valutën euro në bankat e licencuara, dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare, ose jo-bankare të licencuara nga ajo.
“Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet”.
Rregullorja e re e BQK-së, e lëshuar javë më parë, kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen me euro nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Lista Serbe në reagim e saj pati thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.