LAJMET E MBRËMJES

Aleatët premtojnë vazhdim të mbështetjes për FSK-në

Rrethanat e reja gjeopolitike të krijuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë kanë përqendruar vëmendjen e aleatëve te siguria në Kosovë dhe në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Në konferencën vjetore ndërkombëtare për sigurinë, Forcës së Sigurisë të Kosovës i është premtuar vazhdimi i mbështetjes dhe thellimi i bashkëpunimit nga NATO-ja, KFOR-i dhe nga ambasadorët e huaj që veprojnë në Kosovë

Siguria në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor është vënë në fokusin e NATO-s dhe të KFOR-it, në kontekstin e rrethanave të reja gjeopolitike, të shpërfaqura qysh kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Në këtë sfond ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka potencuar të martën se Kosova ka rritur angazhimin dhe koordinimin e aktiviteteve në rrafshin e mbrojtjes me aleatët ndërkombëtarë. Krahas kësaj, ai ka shprehur pritjen që qasja perëndimore karshi situatës së re të jetë integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe integrimi i Kosovës në NATO.

“Në rrethanat e reja gjeopolitike, kur vlerat e demokracisë janë sfiduar nga doktrina agresive e Rusisë ndaj Ukrainës, ne mbetemi vigjilentë për të koordinuar aktivitetet dhe për të treguar angazhimin më të lartë për të punuar së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, ndërsa presim që partnerët tanë të aplikojnë një qasje integruese të Ballkanit Perëndimor në BE dhe integrimit të Kosovës në NATO”, ka deklaruar ministri Mehaj.

Në fjalimin e tij, në kuadër të konferencës vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”, si probleme ai i ka listuar rritjen e nacionalizmit, të migrimit dhe kërcënimit kibernetik, duke kërkuar bashkëpunim në përballjen me to.

Në këtë konferencë, përfaqësues të NATO-s, KFOR-it, e ambasadorë të vendeve të ndryshme ofruan mbështetje për rritjen e profesionalizmit të FSK-së.

Në Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s me FSK-në thanë se për procesin transicional, në të cilin është FSK-ja, kërkohet bashkëpunim me partnerët.

Joachim Hoppe, drejtor i këtij ekipi, tha se me gjithë punën e bërë, rruga drejt arritjes së të gjitha qëllimeve është e gjatë e me shumë sfida.

“Do të doja të shprehja mirënjohjen e veçantë për partnerët, për vazhdimësinë dhe përpjekjet e tyre. Plani i transicionit nuk mund të arrihet pa përfshirjen dhe asistencën e partnerëve. Për shkak të kësaj, ne konsiderojmë se bashkëpunimi bilateral është i rëndësishëm për Kosovën dhe efektet janë të mirëseardhura për FSK-në”, ka thënë ai.

Vazhdim të mbështetjes për Forcën e Sigurisë të Kosovës kanë premtuar edhe Britania e Madhe dhe Turqia.

“Sa i përket ndërtimit të kapaciteteve, do të vazhdojmë të mbështesim kapacitetet e zbulimit. Gjithashtu, program të mbështetjes në fazën e trajnimeve, siç kemi bërë më parë. Ne do të mbështesim edhe pjesëmarrjen e FSK-së në patrulla, siç ishte ‘Cambrian Patrol’, gjithashtu këtë vit në nëntor do të ketë një zbarkim të FSK-së, kjo është një mundësi e mirë për demonstrimin e kapaciteteve të FSK-së”, ka deklaruar ambasadori i Britanisë, Nicolas Abbott

Edhe ambasadori i Turqisë, Cagri Sakar, ka deklaruar se bashkëpunimi i shtetit të cilin ai e përfaqëson me FSK-në do të vazhdojë.

“Kemi ofruar pajisje dhe makina ushtarake për FSK-në, dhe gjashtë pjesëtarë të FSK-së janë duke ndjekur trajnimet, 500 pjesëtarë të FSK-së kanë ndjekur trajnimin sa i përket mjekësisë dhe aviacionit. Bashkëpunimi do ta trasojë rrugën për trajnime të tjera të FSK-së”, ka thënë ai.

Punimet e konferencës vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022” do të vazhdojnë edhe të mërkurën.