LAJMET E MBRËMJES

Aktivistët kërkojnë nga ZRRE-ja të zotohet se nuk do të shtrenjtohet rryma

Ashtu siç paralajmëruan, në orën 8 të mëngjesit të së enjtes, aktivistë të nismës “Asnji cent më shumë” bllokuan sërish zyrat e Rregullatorit të Energjisë, duke kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë. Teksa kërkuan zotim nga ZRRE-ja se nuk do të marrë vendim për shtrenjtimin, ata u penguan nga Policia që të futen brenda

Zyrat e Rregullatorit të Energjisë janë bllokuar sërish mëngjesin e së enjtes nga disa aktivistë të nismës “Asnji cent më shumë” për të kundërshtuar shtrenjtimin e paralajmëruar të rrymës për 15 për qind nga muaji prill.

Aktivistët u mblodhën para zyrave të ZRRE-së në orën 8 të mëngjesit, duke tentuar që të futen brenda hapësirave të këtij institucioni. Por, sërish hasën në pengesë nga pjesëtarë të Policisë që ishin në numër të madh.

Teksa e konsideroi të paarsyeshme praninë e madhe të Policisë, aktivisti Dibran Hoxha i ka kërkuar kryetarit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu të zotohet se nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës.

“Nga Ministria e Ekonomisë e deri te Qeveria e Ministria e Punëve të Brendshme janë quar përmes ZRRE me ia ruajtë fitimin KEDS-it në dëm të qytetarëve. Sot kanë ardhur 30-40 policë pa kurrfarë sensi ndaj 10-15 qytetarëve që protestojnë. Më 5 prill është një protestë. Protesta të radhës do të organizohen që mos me e leju këtë shtrenjtim se kjo është barra e rëndë për secilin qytetarë”, ka thënë ai.

Sipas Hoxhës, qëllimi i aktivistëve nuk është për të kryer ndonjë akt agresioni.

“Qëllimi jonë nuk është me krye kurrfarë akti të agresionit. Nuk e di, këta kanë menduar se po bëjmë ndonjë akt terrorist. Ne jemi duke i shfrytëzuar të drejtat tona demokratike për të dalë dhe për të protestuar”, ka theksuar ai.

Hoxha ka shprehur kritika edhe për deklaratat e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe drejtuesve të ZRRE-së.

“Kur do me ia mbrojt interesin KEDS-it, i qet 30 policë edhe del kryeshefi i ZRRE-së thotë ‘gjeni rrymën më lirë’, edhe ministrja Rizvanolli thotë ‘duhet me shtrenjtua se i kemi do hesape’. Nuk ka kurrfarë sensi çka po ndodh në shtetin tone”, ka theksuar Hoxha.

Një ditë më parë, aktivistë të kësaj nisme bllokuan zyrat e ZRRE-së, me ç’rast 12 nga ta u shoqëruan në Polici, për t’u liruar më pas.

E, ZRRE-ja ka njoftuar se do të mbajë takime bilaterale me palët e interesit nga 4 prilli deri më 10 prill.

Sipas njoftimit, në takim do të marrin pjesë nga një përfaqësues i të gjitha palëve të interesit që kanë ofruar komente me ftesë të ZRRE-së, dhe palët do të kenë mundësi të ofrojnë informata shtesë apo të diskutojnë për procesin tarifor.

Më 11 prill do të bëhet përmbyllja e procesit konsultativ dhe do të jepen përgjigjet ndaj komenteve.

Deri më tash, komente në ZRRE kanë dërguar 396 qytetarë, tetë organizata, katër biznese, katër operatorë energjetikë, një deputet, Ministria e Ekonomisë dhe presidentja e shtetit.

Zyra e Presidencës së Kosovës pati kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë prej 15 për qind dhe në komentet dorëzuar pranë ZRRE-së në ditën e fundit të afatit, ky institucion e ka propozuar largimin e TVSH-së prej 8 për qind nga faturat e energjisë elektrike.