LAJMET E MBRËMJES

Aktiv: Shumica e banorëve në veri nuk ndihen të sigurt

Organizata joqeveritare “Aktiv” ka prezantuar raportin që synon të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse rreth gjendjes dhe perceptimeve për sigurinë të komunitetit serb në Kosovë. Në raportin: “Shpalosja e sfidave të sigurisë përbrenda komunitetit serb në Kosovë” thuhet se frika nga njësitet speciale është e pranishme te 77 për qind e popullsisë serbe në veri. Gjatë diskutimit u theksua se si deputetët serbë asnjëherë nuk e ngritën sigurinë si çështje në Kuvend

Prania e shtuar e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë në veri pas incidenteve të fundit të sigurisë ka ndikuar në krijimin e pasigurisë dhe në rritjen e frikës mes komunitetit serb të kësaj pjese, është thënë të mërkurën gjatë prezantimit të raportit të organizatës joqeveritare “Aktiv”: “Shpalosja e sfidave të sigurisë përbrenda komunitetit serb në Kosovë”.

Miodrag Miliçeviq, përfaqësues i “Aktiv”, theksoi se mbështetur në të dhënat e Qendrës Humane në Mitrovicë, frika nga njësitet speciale është e pranishme te 77 për qind e popullsisë lokale dhe se prania e tyre perceptohet më shumë si një faktor jostabiliteti e represioni sesa sigurie.

“Pas një sërë incidentesh, perceptimi i situatës së sigurisë është përkeqësuar në mënyre të madhe nga komuniteti serb. Pra, një numër i madh i serbëve në krahasim me vitin e kaluar nuk ndihen më të sigurt në Kosovë. Rreth 80 për qind e personave raportojnë se nuk ndihen të sigurt. Që nuk e shohin veten në Kosovë në pesë vjetët e ardhshëm”, ka thënë Miliçeviq.

Organizata “Aktiv” u ankua në pamundësinë e mbledhjes së të dhënave zyrtare nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

E Goran Avramoviq, kryeredaktor i “RTV KIM”, theksoi se ndjenja e pasigurisë mes pjesëtarëve të komunitetit serb nuk mbizotëron vetëm në veri.

“Kur kryeministri flet për çështje te malazezve ai përgjigjet në dy apo tri pyetje por ai refuzon të përgjigjet në pyetjet që vijnë nga komunitetit serb. Kjo nënkupton që ne nuk kemi mundësi të flasim drejtpërdrejt me të. Për policinë nuk kemi pasur probleme vetëm në veri por edhe në jug, në Ibër. Ka pasur patrulla në këmbë ku edhe shenjat e policëve kanë qenë të mbuluara dhe është vështirë që të identifikohen nga qytetarët. Kemi pasur probleme me rrymën. Janë të ballafaquar me ndërprerje të paplanifikuara të rrymës pa marrë asnjë informatë paraprake se kur dhe pse”, ka thënë Avramoviq.

Por drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, teksa ka tërhequr vërejtjen se disa elemente nuk janë të përfshira në raport, e ka kualifikuar të natyrshme praninë e shtuar të Policisë në veri, shkaku i shtimit të pranisë së ushtrisë serbe përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. Për situatën e sigurisë, ai ka thënë se asnjëherë nuk është ngritur shqetësim nga deputetët serbë të Kuvendit.

“Lista Serbe realisht për mendimin tim nuk e ka kryer funksionin e vet në raport me atë që i përfaqëson në Kuvendin Kosovës. Kjo besoj që tregon shumë. D.m.th. ky mosinteresim i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb tregon papërgjegjësi politike shumë të madhe... Një element tjetër i cili nuk është i përfshirë në raport - përgjegjësia e Serbisë për sa i përket gjendjes së serbëve në Kosovë nuk është e trajtuar dhe ndoshta do të ishte mirë të trajtohej në një raport tjetër”, ka thënë Peci.

Ai ka shtuar se gjatë vizitave të realizuara në veri dhe bisedave me pjesëtarë të komunitetit serb, ata kanë lavdëruar zëvendësdrejtorin e Policisë në veri të Mitrovicës.