Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar disa vendime për organizimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, përfshirë akreditimin e vëzhguesve që u përkasin subjekteve politike. Të martën janë akredituar edhe 18.163 vëzhgues të kësaj kategorie
Janë akredituar të martën edhe 15.889 vëzhgues të 21 subjekteve politike të cilat janë të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike kanë aplikuar me numrin më të madh të vëzhguesve.
“Lëvizja Vetëvendosje prin me numrin më të madh të vëzhguesve, gjithsej 4 mijë e 536 vëzhgues. Partia Demokratike e Kosovës do të ketë gjithsej 3 mijë e 939 vëzhgues, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë 3 mijë e 693 vëzhgues. Koalicioni AAK-Nisma do të ketë 3 mijë e 590 vëzhgues, ndërsa Koalicioni për Familjen do të ketë 253 vëzhgues”, ka bërë të ditur Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
Në mbledhjen e KQZ-së u vendos edhe për t’i marrë në shfrytëzim hapësirat e institucionit të Avokatit të Popullit për trajtimin e dërgesave postare të votimit jashtë Kosovës.
“Pra, bëhet fjalë për zarfet, fletëvotimet dhe dëftesat e regjistrimit. Ky proces do të fillojë me pranimin e pakove postare, në këtë rast që arrijnë në Kosovë edhe përmes postës. Do të trajtohen, vlerësohen dhe pranohen në ambientet e sipërme”, ka thënë Arianit Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së.
KQZ-ja miratoi edhe procedurat për votimin e personave me nevoja të veçanta.
“Kjo procedurë parasheh gjithë procesin e votimit për persona me nevoja të veçanta që do të ndodhë gjatë ditës së zgjedhjeve që ka të bëjë edhe me institucionet publike shëndetësore, që ka të bëjë edhe me personat e moshuar dhe të ngujuar që janë në shtëpi e që gjatë ditës së zgjedhjeve nuk mund të dalin nga hapësirat e tyre për votim”, ka thënë Krasniqi.
Anëtarët e KQZ-së vendosën që transporti i materialit zgjedhor nga qendrat e komunave drejt këshillave të vendvotimit të bëhet përmes kombibusëve dhe kamionëve e jo me mjete private të kryesuesve.
KQZ-ja miratoi edhe ndërrimin e lokacionit të qendrave komunale të numërimit në Komunën e Gjilanit dhe atë të Skenderajt.
Në Gjilan u vendos që qendra të zhvendoset në palestrën sportive “Bashkim Selishta”. Ndërkaq në Skenderaj numërimi do të bëhet në sallën e edukatës fizike në shkollën e mesme teknike “Anton Çeta”.