Asociacioni i Komunave të Kosovës ka paralajmëruar se do t’i dërgojë në Kushtetuese ndryshimet e Ligjit për Tatimin në Pronë të paluajtshme, që mundësojnë t’u falen qytetarëve deri në 100 euro të borxhit për tatim në pronë. Sipas Asociacionit, ky ligj cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e komunës. Por, paralajmërimin e Asociacionit, ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka quajtur lojë dhe hipokrizi.
Shtatë ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore që ua mundësojnë Kuvendeve Komunale t’ua falin qytetarëve deri 100 euro të tatimit në pronë, Asociacioni i Komunale ka paralajmëruar se do ta dërgojë çështjen në Kushtetuese.
Shkak për këtë, sipas asociacionit, është humbja e dhjetëra miliona eurove që u shkaktohet komunave, e edhe cenimi i përgjegjësive komunale.
“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që palët e autorizuara për ngritjen e rasteve në Gjykatë janë edhe Komunat, atëherë Bordi i AKK-së duke marrë parasysh që komuna si Institucion shtetëror është e autorizuar që të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve ligjore, i rekomandon komunat që ta dërgojnë këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e tij Kushtetues” ka thënë Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Sipas Asociacionit, kjo afekton projektet kapitale dhe krijon debalancim mes projeksioneve investuese dhe të hyrave vetanake, si të hyra kryesore të pushtetit lokal.
E, paralajmërimin e Asociacionit, ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka quajtur lojë dhe hipokrizi. Sipas tij, ligji ka hyrë në fuqi dhe nuk mund të bllokohet.
“Nëse kërkesa ka qenë që duhet të ulët barra tatimore për qytetarët, ne ua kemi mundësuar me këtë ligj. Dhe tani janë pikërisht komunat që fillimisht kishin kërkuar që të lehtësohet barra e qytetarëve që po e kundërshtojnë këtë masë. Komunat duhet të vendosin deri më datën 16 shtator sa i përket kësaj çështjeje”, ka deklaruar Murati.
Ministri Murati ka mohuar pretendimet e komunave, se me ligj po u dëmtohet buxheti.
“Ka një lloj hipokrizie sa u përket çështjeve të halleve që i qajnë. Është e pavërtetë që dëmtohet buxheti i komunave. Deri në datën e djeshme janë mbledhur 32.3 milionë euro. Kjo është vetëm një lojë e disa prej komunave dhe në këtë rast e AKK-së”, ka thënë tutje Murati.
Qeveria ka iniciuar ndryshimet ligjore pas rritjes së tatimit në pronë.
Më pas, në seancën e fundit të Kuvendit është miratuar edhe Ligji që mundëson zbritjen deri në 100 euro në faturat e tatimit në pronë, por se deri më 16 shtator vendimet për këtë duhet të kalojnë në kuvend të secilës komunë.