Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, e atë të AAK-së, Ramush Haradinaj. Takimet me ta janë zhvilluar në ndërtesën e Kuvendit. Edhe pse ishte planifikuar edhe një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai nuk ka ndodhur, pasi që ky i fundit ka refuzuar ta takojë Begajn në ndërtesën e Kuvendit.
Ndonëse pjesë e agjendës, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, nuk ka zhvilluar takim me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Ky i fundit nuk ka pranuar ta takojë atë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, e Begaj s’ka pranuar që të shkojë në selinë e kësaj partie.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se në të shkuarën, të gjithë zyrtarët e lartë të Shqipërisë kanë pranuar të shkojnë në selinë e LDK-së, derisa të njëjtën gjë nuk ka pranuar ta bëjë Begaj.
“Presidenti Begaj ka refuzuar ta takojë LDK-në në selinë qendrore të saj. Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë”, është shprehur Halimi.
Ndërkohë, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, e ka quajtur këtë skandal politik e diplomatik të Abdixhikut.
Në një postim në Facebook, Hyseni ka shkruar se Abdixhiku e ka refuzuar ftesën e presidentit Begaj për t’u takuar në selinë e Kuvendit.
“Pretendimi idhnak i Abdixhikut se presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së. Pa dashur të futem në detajet e protokollit, me duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërësisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare. Kuvendi i Republikës së Kosovës është seli, e përtej selie e çdo partie politike parlamentare në Kosovë”, ka shkruar Hyseni.
Ai ka shtruar pyetjen se përse Abdixhiku nuk veproi njëjtë me vizitën e presidentit të Malit të Zi, në maj të këtij viti.
“Shtrohet pyetja, përse z. Abdixhiku nuk u bë po aq ‘i madh’ me rastin e vizitës së presidentit të Malit të Zi, të cilin, më 19 maj 2022, shkoi ta takonte, madje jo në Kuvend të Kosovës, por në hotel???!!!”, ka shkruar Hyseni.
E, presidenti Begaj të martën ka takuar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Pas takimit është deklaruar vetëm Haradinaj, i cili ka potencuar interesimin për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri. Ai ka folur edhe për temat që i kanë veçuar si të rëndësishme gjatë takimit.
“Kemi filluar me çështjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët e globit, si një diçka që do të ishte me gjithë të drejtë, njëkohësisht kemi folur për çështjen e sigurisë. Ka qenë iniciativë e imja ka vite, një pakt për mbrojtje të përbashkët, por duhet të zhvillohet një proces gradual, pasi që Shqipëria është në NATO dhe ne kemi kujdesin e NATO-s këtu. E kemi diskutuar çështjen e hekurudhës Kosovës-Shqipëri, mjaft e rëndësishme, shpresojmë të përshpejtohet”, është shprehur Haradinaj.
Begaj është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në një komunikatë për media të PDK-së thuhet se Krasniqi i ka ofruar Begajt mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të tij dhe të PDK-së në kultivimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Kryetari Memli Krasniqi ka falënderuar presidentin Begaj për mbështetjen që Shqipëria po jep për dy liderët tanë historikë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, dhe bashkëluftëtarët e tyre, që nga shkuarja e tyre në Hagë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Nga deputetët e minoriteteve, Begajn e ka pritur vetëm Erxhan Galushin nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, ndonëse takimi ishte planifikuar me përfaqësues të të gjitha komuniteteve.
Presidenti i Shqipërisë të martën e ka vizituar edhe Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit dhe ka takuar kryetarin e kësaj komune, Shaqir Totaj.
Kjo është vizita e parë e Begajt në Kosovë pas marrjes së mandatit. Në ditën e parë të vizitës, ai ka takuar presidenten vjosa osmani, kryeministrin Albin Kurti e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.