LAJMET E MBRËMJES

Abdixhiku e Haradinaj ia shprehin brengën Kasanofit për raportet Qeveri-SHBA

Në takimin me emisarin e ri amerikan, Alexander Kasanof, kryetarët e dy prej tri partive kryesore opozitare kanë shprehur brengën për raportet ndërmjet Qeverisë dhe SHBA-së. Emisarit i janë ankuar në Qeveri edhe përfaqësuesit e Listës Serbe dhe aktivistë të shoqërisë civile që veprojnë në veri

Ditën e dytë të vizitës së parë në Kosovë, emisari i ri i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, e vazhdoi duke takuar liderë të opozitës.

Ndaras, në Prishtinë ai takoi kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, e të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lideri i partisë më të madhe opozitare tha se e ardhmja nuk duhet të jetë ndryshe, pos rrugëtimit të përbashkët me SHBA-në drejt sukseseve.

“Në takim ritheksova nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në. Kosova, si një storie suksesi, është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj”, tha Krasniqi.

E, LDK-ja bëri të ditur se kryetari i saj ka ndarë shqetësimet me emisarin Kasanof, për raportet e Qeverisë me SHBA-në.

“Kryetari Abdixhiku e siguroi z. Kasanof se, me formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, riparimi i këtyre raporteve do të jetë çështje e prioritetit më të lartë... Abdixhiku theksoi se partneriteti strategjik me SHBA-në në fushën e ekonomisë, të energjisë dhe të sigurisë është jetik për LDK-në dhe për Kosovën”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka vënë theksin te raportet e Qeverisë me SHBA-në.
“Është diskutuar për vështirësitë që ka përpara Kosova. E vërtetë që ShBA-ja e përkrah Kosovën përkundër vështirësive që i shkakton Qeveria e Kosovës ose i ka shkaktuar në partneritet dhe po, është shpresa se do të ndodhin ndryshime në Kosovë, besojmë më 9 shkurt do të jetë ndryshe”, tha Haradinaj.

Kasanof në Prishtinë ka takuar edhe udhëheqës të Listës Serbe. Në njoftimin që kjo parti ka lëshuar pas takimit, është theksuar kërkesa për formimin e Asociacionit dhe është shprehur shqetësimi për pozitën e serbëve në Kosovë.

“Delegacioni ynë posaçërisht theksoi se serbëve po u mohohen të gjitha të drejtat dhe se qëllimi është që praktikisht të ndalet jeta, dhe se regjimi në Prishtinë shkel edhe rregullat e veta vetëm për t’u shkaktuar dëm serbëve”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Emisari amerikan ka qëndruar edhe në veri të Mitrovicës, ku ka takuar pjesëtarë të shoqërisë civile.
Drejtoresha e Iniciativës së Re Shoqërore, Jovana Radosavljeviq, ka treguar për diskutimet që kanë zhvilluar me të.

“Kemi diskutuar veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës, të cilat shpërfillin nevojat e komunitetit lokal, duke mbyllur institucionet dhe duke mos ofruar alternativa. Flasim këtu për institucionet paralele, siç quhen, të sistemit serb dhe zhvendosjen e jetës së serbëve të Kosovës nga veriu në Serbinë Qendrore. Ne diskutuam hapat e përgjithshëm përpara... dhe cilat janë implikimet e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë”, tha Radosavljeviq.

Vizitën në Kosovë, emisari amerikan e ka nisur të enjten kur ka takuar presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Paraprakisht, ai ka qëndruar në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë.