LAJMET E MBRËMJES

AAK-ja pretendon se Komisioni ka bërë shkelje në rekomandimin e disa ambasadorëve, kërkon sqarime

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pretendon se Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka përcjellë si rekomandim te presidentja Vjosa Osmani, tetë ambasadorë e një konsull, në mënyrë të paligjshme.

Deputetja Time Kadrijaj ka thënë se shkelje ligjore ka në rekomandimin e Blerim Rekës si konsull në New York, për ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj, atë në Holandë, Dren Doli, për Ilir Kapitin në Mbretërinë e Bashkuar, Xhabit Hamitin në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mehdi Halimin në Francë, Florian Qehajën në Maqedoninë e Veriut, Agon Vrenezin në Turqi e Nita Lucin për ambasadore në Norvegji.

Sipas saj, në mungesë të deputetëve të mjaftueshëm, kryetari i Komisionit, Haki Abazi, ka siguruar pjesëmarrjen dhe votat e nevojshme nga disa deputetë përmes telefonit dhe platformës ZOOM.

Për këtë çështje ajo u është drejtuar kryetarit të Kuvendit, kryesisë dhe zyrës ligjore.

“Nëse nuk ndërmerren masa ne do t`i përdorim të gjitha instancat ligjore që këta kandidatë të cilët sot i shërbejnë Kosovës janë të paligjshëm dhe nuk kanë të drejtë ta përfaqësojnë Kosovën në këto vende të cilat janë akredituar”, tha Time Kadrijaj, deputete e AAK-së.

Televizioni ka kontaktuar me anëtarët e Komisionit, për të cilët Kadrijaj thotë se kanë marrë pjesë në vendimmarrje duke mos qenë fizikisht pjesëmarrës në mbledhjet e komisionit.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka konfirmuar se ka marrë pjesë në dy mbledhje përmes platformës zoom, por për detaje të tjera ka kërkuar që të drejtohemi te zyra ligjore dhe sekretari i Kuvendit.

Ndërsa sipas deputetit të Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në përputhje me aktet ligjore që rregullojnë mbarëvajtjen e komisioneve parlamentare.

“Çdo gjë është bërë në përputhje me aktet ligjore të cilat i rregullojnë punët dhe mbarëvajtjen e komisioneve parlamentare. Për çdo paqartësi që dikush mund të ketë në lidhje me këtë, e ftoj t’i drejtohet zyrës për çështje ligjore brenda Kuvendit të Kosovës. Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë me punën e tij ka dhënë kontribut thelbësor në rifunksionalizimin cilësor të shërbimit tonë diplomatik nëpër botë. Falë edhe kësaj pune, Kosova ka sot ambasadorë të rinj që e kanë ngritur ndjeshëm nivelin e përfaqësimit të Republikës sonë në arenën ndërkombëtare”, tha Gjyshinca.

Pyetjeve të KOHËS nuk u janë përgjigjur kryetari i Komisionit, Haki Abazi, dhe anëtarët e tjerë, si deputetja Fitore Pacolli e Adelina Grainca.

Nëse një praktikë e tillë përbën shkelje ose jo dhe nëse është praktikuar edhe më herët, KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Kuvendi i Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.