Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur marrëveshje për koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në kryeqytet. AAK-ja në qeverisjen në Prishtinë do t’i ketë tri drejtori, atë të Administratës, të Sportit si dhe Drejtorinë e Mobilitetit. Nga Vetëvendosje, partia me numrin më të madh të asamblistëve, janë shprehur skeptikë se ky koalicion do të sjellë ndryshime pozitive, e nga PDK-ja kanë thënë se kjo marrëveshje është bërë me qëllimin që të kalohet Plani Zhvillimor Komunal
Disa muaj pas prishjes së koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës në Prishtinë ka arritur marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, me arsyetimin e rritjes së efikasitetit të realizimit të projekteve.
Mbështetja e vazhdueshme të cilën AAK-ja ia ka dhënë LDK-së në seancat e fundit, i është shpërblyer me udhëheqjen e tri drejtorive.
Kushtrim Mushica do të emërohet në vend të drejtorit të Sportit, Bardh Krasniqi, ndërsa Valbona Vitija-Ajeti në vend të drejtorit të Administratës, Vigan Kastrati.
Komuna do të ketë edhe një drejtori shtesë, duke e çuar në 18, e të cilën do ta udhëheqë po ashtu AAK-ja.
“Koalicioni veçse është arritur, dy drejtori i takojnë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, drejtoria e Sportit dhe ajo e Administratës. Ndërsa drejtoria e mobilitetit mbetet e papërcaktuar, porse drejtoria e mobilitetit do të shkëputet nga drejtoria e Shërbimeve Publike dhe do t’i takojë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku.
Përmes një komunikate për media, të hënën, Komuna ka njoftuar se Bardh Krasniqi do të vazhdojë punën me një rol të rëndësishëm në strukturat planifikuese dhe organizative të Lojërave Mesdhetare 2030, bashkë me Vigan Kastratin.
E kryesuesi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka thënë e brenda një mandati të vetëm, qytetarët e Prishtinës arritën të shohin në ekzekutiv të gjitha subjektet politike përveç partisë, së cilës i përket.
“Pa dashur të paragjykojmë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe si do të funksionojë ky koalicion, fakt është se qytetari i Prishtinës brenda një mandati të vetëm arriti ose do të arrijë t’i shohë në ekzekutiv të gjitha partitë politike të përfaqësuara në kuvendin komunal, natyrisht në përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila po qëndron konsistente në parimet dhe qëllimet e veta. Modeli i qeverisjes që zoti Rama dhe LDK kanë ofruar gjatë këtyre 3 vjetëve, na bën shumë skeptikë dhe dyshues që këto ndryshime të partnereve të koalicionit do t’i sjellin ndonjë ndryshim pozitiv qytetit”, ka thënë Sveçla.
Leutrim Retkoceri, shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, ka theksuar se ky koalicion tregon për presionin e madh që e ka kryetari Përparim Rama, për ta kaluar Planin Zhvillimor Komunal.
“Për vetë faktin se drejtorin e Urbanizmit e ka liruar nga detyra dhe e ka emëruar në një drejtori që e ka shuar 6 muaj më herët, kjo tregon për presionin e madh që e ka Përparim Rama nga interesat për ta kaluar planin zhvillimor komunal. Ndërrimi i drejtorëve çdo tre muaj tregon për jostabilitetin dhe jo kompetencën e Përparim Ramës karshi qeverisjes në kryeqytet. Vlen të cekët se këtë koalicion e kemi parë që nga shkëmbimi i pronave në Badoc dhe është mirë që më në fund po shpërfaqet koalicioni i fshehtë”, ka deklaruar Ratkoceri.
Me gjithë koalicionin e ri, Qeverisja Rama nuk i ka numrat për kalimin e Planit Zhvillimor për Prishtinën, pa votat e VV-së ose të PDK-së.