Një vrasje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prishtinë. Një grua 63-vjeçare është vrarë me sëpatë nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar. Menjëherë pas vrasjes i dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa motivet e vrasjes nuk dihen ende. Prokuroria disa orë pas arrestimit ka kërkuar masën e paraburgimit. E ndjera ishte mësimdhënëse në shkollën fillore “Dardania”. Kjo shkollë më të marrë lajmin ka ndërprerë mësimin në shenjë pikëllimi për vdekjen e mësimdhënëses.
Edhe një grua i është shtuar listës së grave të vrara nga bashkëshortët e tyre në Kosovë. Një grua 63-vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar me sëpatë.
Sipas informatave të Policisë, vrasja ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm në Prishtinë.
E menjëherë pas këtij akti i dyshuari I.G. është vetëdorëzuar në polici. Pas intervistimit ai është dërguar në paraburgim.
“Personi i dyshuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit është intervistuar dhe ai është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeçe, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka thënë Policia.
Prokuroria dhe policia ende nuk e dinë motivin e vrasjes së cilësuar si vrasje e rëndë, derisa si provë materiale kanë sekuestruar sëpatën me të cilën dyshohet se u vra e ndjera. Prokuroria gjithashtu ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin I.G.
“Aktualisht nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me Policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në tërësi rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Prokuroria.
Disa orë pas kësaj ngjarjeje të rëndë dyert e shtëpisë kanë qenë të mbyllura. Fqinjët prapa kamerave kanë thënë se ata asnjëherë nuk kishin vërejtur ndonjë problem mes çiftit.
E viktima, e cila ishte mësimdhënëse e lëndës së gjeografisë, në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, një ditë më parë kishte qenë në punë. Sipas drejtorit të shkollës Isak Bregaj, stafi nuk kishte vërejtur ndonjë shqetësim tek ajo.
Të premten shkolla “Dardania” në shenjë pikëllimi për mësimdhënësen nuk ka mbajtur mësim, duke anuluar edhe të gjitha aktivitetet për nder të festës së 28 Nëntorit.
Vrasja e sotme nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është cilësuar si fenomen shqetësues për shoqërinë.
“Ky lajm, kjo vrasje e rëndë, na pikëllon thellë të gjithëve, por ne do të gjejmë edhe më shumë forcë, drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale. Drejt luftës ndaj dhunës. Drejt vënies së drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.
Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një reagimi ka thënë se gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese, për shkak të dështimit të hallkave institucionale, sociale e kolektive në trajtimin e dhunës me bazë gjinore.
“Neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës qartazi e ka të caktuar dënimin për vrasjen e rëndë, ku thuhet se personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmijës dënohet me burgim të përjetshëm. Andaj, RrGK kërkon që të shqiptohet masa ndëshkuese maksimale dhe të mos merren në konsideratë si masa lehtësuese dorëzimi i tij në polici dhe mosha e dhunuesit, siç është praktikë të konsiderohen këto të fundit nga gjykatat”, thuhet në reagim të RRGK-së.
Për vrasjen e sotme kanë reaguar edhe zyrtarë e liderë të partive në vend.