Ushtaraku i këmbësorisë amerikanë, Steven Russell, e ka përmbyllur dëshminë në Gjykatën Speciale. Ai tha se në Gjilan dhe Novobërdë ka vërejtur nivel të lartë të organizimit nga pjesëtarët e UÇK-së. Por, pranoi se në verë të ‘99-s kanë hyrë persona nga Shqipëria dhe vendet e tjera të cilët kanë ardhur në Kosovë dhe kanë kryer krime, të veshur si ushtarë të UÇK-së
Ushtaraku amerikan, Steven Russell, të martën e ka përmbyllur dëshminë e tij në rastin më të madh të Gjykatës Speciale në Hagë ku ka folur për muajt e parë të pasluftës në Zonën Operative të Karadakut.
Russell duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të trupit gjykues e mbrojtës, tha se ka vërejtur një nivel të lartë organizimi të pjesëtarët e UÇK-së.
“Po, i nderuar gjyqtar, përveç ndërhyrjeve dhe bastisjeve e dokumenteve që janë diskutuar deri tani ne kemi parë vrasje, sulme, vendngjarje që kanë ndodhur dhe janë bërë me një nivel organizimi që nuk mund të bëhej nga njerëz të zakonshëm”, ka thënë ky dëshmitar.
Këtë përshtypje tha se ia japin edhe llojet e grackave që tha se ishin të aftë t’i bënin luftëtarët e UÇK-së.
“Vetë e kam parë në Novobërdë gjatë bastisjes që e kishim bërë atë që ne e kemi quajtur pritë me formën e shkronjës ‘L’, nga distanca, persona të veshur me të zezë, pra është e pamundur të dihej se nga ku ishin. Nuk kemi qenë në gjendje t’i kapim në kohë dhe që ta shpëtojmë personin mashkull serb që u vra aty. Pra ishte bërë në mënyrë të atillë që ushtarët e këmbësorisë do të duhej të kishin taktika, që ishte një pritë në formë të ‘L’-së, në mënyrë që personi që përpiqej të largohej në një drejtim do të kapej nga personi tjetër. Ky nivel sofistikimi dhe trajnimi dukej e tregonte për forca ushtarake”, ka thënë dëshmitari Russell.
Ai pretendoi se, kur flet për organizimin ushtarak, ka parë fakte.
Dëshmitari tha se Florim Kllokoqi në Novobërdë ia prezantoi atij vetë dokumentin e emërimit të tij si komandant që ishte i nënshkruar nga shefi i zonës operative të Karadakut, Ahmet Isufit.
E bëri këtë, pasi avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis ia shtroi pyetjen: “Në momentin që ju thoni se e njihni nënshkrimin besoj që ju e kuptoni që ju po tentoni ta ndihmoni gjykatën me diçka që ju mendoni që është e saktë dhe që e keni parë në fakt 25 vjet më parë, a është kështu?”.
“Ndryshe nga secili prej jush që jeni këtu në këtë gjykatore unë kam qenë i pranishëm në këtë bastisje e kam parë me sytë e mi këtë dokument është dokument i cili më është dhënë nga Florim Kllokoqi. E mbaj mend këtë dokument”, është përgjigjur ky dëshmitar.
Dëshmitari Russell ka thënë se ka pasur raporte se në verë të ’99-s kanë hyrë persona nga Shqipëria dhe vendet e tjera të cilët kanë ardhur në Kosovë dhe kanë kryer krime të veshur si ushtarë të UÇK-së.
Pas Russell-it, dëshminë e ka nisur dëshmitari 03871, i cili sipas Zyrës së prokurorit të specializuar, ka dijeni lidhur me “formimin, strukturën, detyrat, anëtarësinë dhe raportimin e njësive të UÇK-së” dhe ka trajtuar pjesëtarë të UÇK-së.
Siç ka thënë prokurori James Pace, ai para gjykatës do të flasë edhe lidhur me ndalimin e një personi të cilin ushtarët e UÇK-së e kanë akuzuar si spiun.