LAJMET E MBRËMJES

Koci: Sigurisht se do të kthehem nga Serbia me trupin e Faton Hajrizit

Avokati Arianit Koci pret që të mërkurën të udhëtojë në Beograd për ta identifikuar dhe sjellë në Kosovë trupin e Faton Hajrizit, i cili u vra javën e kaluar nga Policia serbe, pasi paraprakisht vrau një polic dhe plagosi një tjetër. Koci, i cili është autorizuar nga familja e Hajrizit, tha se ende nuk dihet vendndodhja e trupit të të ndjerit. Për këtë rast ndërmjetësimin e komunikimit mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë është duke e bërë EULEX-i.

Avokati Arianit Koci është autorizuar të martën nga familja e Faton Hajrizit për tërheqjen e trupit nga Serbia. Ai ka deklaruar se kanë nisur menjëherë kontaktet me autoritetet e Beogradit, si dhe në koordinim me shefin e Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari, ai pret që të udhëtojë të mërkurën për në Serbi. 

Por, siç ka thënë Koci, ende nuk është identifikuar se ku është trupi i të ndjerit.

“Unë sot jam takuar më nënën e Fatonit të ndjerë, ma ka dhënë autorizimin, ishte së bashku me vëllanë e vogël në zyre tek unë. Kam filluar menjëherë kontaktet me autoritetet në Beograd, të njëjtën kohë jam në koordinim edhe me shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, ambasadorin Jetish Jashari. Deri tash disa punë i kemi kryer, sot kam kontaktuar edhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore atje, ende nuk e kemi identifikuar se ku është trupi i të ndjerit. Na dhanë si opsion Beogradin, Shidin ose Novi- Sadin, posa ta marrë vesh këtë informacion unë do të nisem, shpresoj se nesër apo më së largu pasnesër dhe pastaj vazhdojmë tutje me procedura. Të gjitha dokumentet e nevojshme i kam dhe vazhdoj tutje”, ka thënë Koci.

Ai ka shtuar se prej momentit kur u raportua për vrasjen e Hajrizit, Zyra Ndërlidhëse ka nisur kontaktet me autoritet serbe dhe se deri tash s’kanë pasur telashe. 

“Zyra Ndërlidhëse ka filluar me komunikim me ta, deri tash nuk kemi pasur problem në komunikim, nuk e di çka do të ndodhë nesër në territorin e Serbisë, deri tash nuk ka pasur asnjë problem, çdo gjë po shkon mirë, kam marrë një punë serioze, një mision serioz, dhe do ta kryej ashtu siç i kryej të gjitha punët. Nuk po dua ta bëj të madh,e por sigurisht se do të kthehem bashkë me trupin e të ndjerit. Nuk besoj se brenda ditës mund të kryej punë, por edhe nëse kryej aq ma mirë”, është shprehur Koci. 
Meqë Serbia refuzon të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës në shkëmbim të informacioneve, ka pasur edhe anashkalim të procedurave që aplikohen në raste të tilla. Njëra prej tyre, sipas Kocit, është ajo që anëtarët e familjes janë të parët që duhet ta bëjnë identifikimin e trupit. 

“Deri tash janë anashkaluar disa procedura, por kanë qenë rrethana specifike sepse kur vdes një person së pari shkojnë anëtarët e familjes aty, por për shkak të rrethanave objektive anëtarët e familjes nuk kanë mundur të shkojnë atje. Pak është komplikuar kjo punë. Në anën tjetër, është dashur që të identifikohet kufoma, aq sa kemi informacione unë nuk kam parë dokument zyrtar, por kam pranuar informatë zyrtare që gishtat po përputhen. Sidoqoftë, kjo është vetëm faza e parë dhe nuk mundem asgjë të them më shumë se kaq. Unë do ta përfaqësoj familjen dhe çkado që ka nevojë do të shkojë përmes meje. Unë kam pak më shumë informata që për momentin nuk janë për publikun”, ka thënë ai. 

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, që kumtoi lajmin për vrasjen e Hajrizit, i cili kërkohej nga autoritetet në Kosovë pas arratisjes nga burgu, ka thënë se do të komunikojnë vetëm me EULEX-in në Kosovë.

E nga ky mision kanë konfirmuar se tashmë ka një kërkesë për përfshirjen e tyre në këtë rast. 
“Në përputhje me mandatin aktual të EULEX-it, Misioni mbështet Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Në rastin konkret, EULEX-i ka pranuar një kërkesë e cila është proceduar në përputhje me mandatin tonë. Çdo shkëmbim i mundshëm i informacionit policor i lehtësuar përmes EULEX-it trajtohet me parimin e konfidencialitetit”, kanë thënë në EULEX përmes një përgjigjeje me shkrim. 

Një ditë më herët, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një deklarate për media tha se gjurmët e gishtërinjve që kanë dërguar të hënën autoritetet serbe, e që pretendohet se janë të personit të vrarë në Serbi javën e kaluar, përshtaten me ato të Faton Hajrizit. 

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor - ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi. Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, kanë thënë në MPJD. 

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) përmes dokumenteve të saj udhëzon se komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë për të mbrojtur personat e vdekur, edhe në rastet kur trajtohen si vrasje të paligjshme.  

“Mbrojtja e trupave të viktimave të vrasjeve të paligjshme është e rëndësishme në vendosjen e përgjegjësisë dhe për të lejuar shërimin e familjeve dhe shoqërive të tyre. Mbrojtja e trupave të të ndjerëve dhe eshtrave të tyre njerëzore është gjithashtu e rëndësishme në parandalimin e fenomenit të personave të zhdukur dhe luftimin e zhdukjeve të dhunshme dhe të pavullnetshme”, thuhet në një raport të OKB-së i përditësuar më 19 shkurt të këtij viti. 

Të premten e kaluar autoritetet serbe njoftuan se është vrarë një person, i cili dyshohet se vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër afër kufirit Serbi-Bosnjë-Hercegovinë. Më vonë u komunikua se i dyshuari ishte Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale por që ishte arratisur nga Burgu i Smrekonicës para më shumë se dy javësh. 

Kosova dhe Serbia ishin dakorduar vitin e kaluar me Marrëveshjen Bazë edhe për hapjen e misioneve diplomatike në vendet përkatëse, me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit edhe për rastet e tilla. Por, sikurse shumica e pikave të Marrëveshjes dhe Aneksit Bazë, as kjo nuk është zbatuar. 

Pas lajmit për vrasjen pati edhe akuza të ndërsjella mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Derisa ministri i Brendshëm serb implikoi strukturat e Kosovës në planifikimin e vrasjes së policit serb, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, dikaster që menaxhon burgjet, akuzoi Serbinë për ndikim në shërbimin korrektues dhe hapjen e korridoreve për kalimin e të arratisurve përmes Serbisë. Për këto deklarata Haxhiu së fundi u intervistua nga Prokuroria Speciale.