Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta. Ka këshilluar sidomos personat e moshuar, gratë shtatzëna dhe ata me probleme shëndetësore që të shmangin ekspozimin në diell në periudhën 10:00 – 17:00
Ngritja e temperaturave ka nxitur Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) të dalë me një sërë rekomandimesh për t’iu shmangur rreziqeve që mund të vijnë nga ekspozimi në diell, sidomos i personave të moshuar, grave shtatzëna dhe atyre me probleme shëndetësore.
Konsumimi i dy litrave lëngje gjatë ditës, mbulimi i kokës, veshja me rroba liri ose pambuku janë ndër këshillat e IKSHPK-së. E dalja gjatë orëve të mesditës nuk rekomandohet.
“Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10:00-17:00, sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet; tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial”, thuhet në paralajmërimin e IKSHPK-së.
IKSHPK-ja në paralajmërimin e lëshuar të hënën ka treguar edhe pasojat që mund të vijnë nga ekspozimi në temperatura të larta, ku përmenden ngërçet, të vjellat, çrregullimet diarreike, skuqjet dhe djegiet e lëkurës.
Deri në fund të kësaj jave, sipas parashikimit të motit, temperaturat pritet të arrijnë në 36 gradë celsius.
Profesori universitar për çështje mjedisore, Zeqir Veselaj, u shpreh se ndryshimet klimatike po shkaktojnë vera më të gjata e më të nxehta.
“Në zonën gjeografike ku jetojmë ne, në Kosovë, po e shohim që stina e pranverës dhe ajo e vjeshtës janë shkurtuar shumë dhe janë zgjatur stina e dimrit dhe sidomos stina e verës, që ndërlidhet edhe me rritjen e temperaturave globale, është bërë më e gjatë dhe në pikun e saj është bërë më e thatë”, ka thënë profesori Veselaj.
Ai ka paralajmëruar se qytetarët do të përballen me temperatura të larta në gjithë periudhën e dy muajve të ardhshëm.
“Temperaturat u ngritën mbi 30 gradë celsius ku dihet se jemi vetëm në gjysmën e qershorit dhe mund të imagjinoni si duket korriku dhe gushti që janë dy muajt më të nxehtë të vitit”, ka shtuar ai.
Sipas të dhënave nga Shërbimi Monitorues i Ndryshimeve Klimatike në Bashkimin Evropian - Kopernik, muaji që shkoi ishte maji më i nxehtë që prej kur ekzistojnë të dhënat për temperaturën.