Në seancën e dytë të rigjykimit të Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për dhunim dhe vrasjen e Marigona Osmanit më 2021, eksperti mjekoligjor ka shpjeguar se vdekja e Osmanit erdhi si pasojë e lëndimeve të rënda dhe të shumëfishta trupore. Raportin e ekspertit e kundërshtoi pala mbrojtëse e Krivaqës, duke kërkuar që të përsëriten disa ekzaminime
Vdekja e Marigona Osmanit erdhi si pasojë e lëndimeve të rënda dhe të shumëfishta trupore, të shkaktuara nga mjeti i mprehtë, ka thënë eksperti ligjor Naim Haliti.
Ai ka shpjeguar në detaje raportin e autopsisë të martën, në seancën e dytë të rigjykimit të Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për dhunim dhe vrasjen e Osmanit më 2021.
“Të gjitha këto lëndime kanë qenë për së gjalli. Lidhur me mekanizmin e dhimbjes, në aspektin mjekësor dhimbjet ndahen në tri grupe: posaçërisht të rënda të cilat munden me qenë me orë si dhe dhimbje të rënda të cilat munden me shku 5-6 ditë dhe dhimbje të lehta të cilat vazhdojnë me javë dhe muaj. Prandaj te ky rast dhimbjet kanë mundur të jenë posaçërisht të larta dhe të rënda në aspektin mjekësor. Kurse lëndimet kanë qenë të shkaktuara për së gjalli dhe vdekjeprurëse”, ka thënë Haliti.
Për raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore pati vërejtje Skënder Musa, avokat i Dardan Krivaqës, duke kërkuar nga gjykata që mostrat të ridërgohen për analizë jashtë vendit për të sqaruar saktë ndikimin që patën, siç tha ai, substancat narkotike.
“Për analizën toksikologjike të merren mostrat nga IML dhe të dërgohen në ndonjë laborator jashtë vendit në mënyrë që të sqarohet se a ka pasur ndikim në vdekjen e së ndjerës sëmundja e saj bronkit e ndërlidhur me përdorimin e substancave të marihuanës dhe substancës narkotike tromodol dhe të përcaktohet shkalla e toksikologjisë në mënyrë të saktë përmes metodave shkencore që të vërtetohet shkaku dhe pasoja e përdorimit të këtyre substancave e ndërlidhur me asfiksinë që përmendet në ekspertizë”, ka deklaruar Musa.
Ai po ashtu ka kërkuar që klienti i tij t’i nënshtrohet sërish një ekspertize neuropsikiatrike duke thënë se ajo e kaluara u bë në kundërshtim me procedurat ligjore.
Por që të dyja propozimet u hodhën poshtë nga prokurori dhe avokati i familjes Osmani.
“Është shumë e qartë se deri te vdekja e së ndjerës ka ardhur nga politraumat, thyerjet që i ka pësuar e ndjera. Andaj edhe nuk e shohim të arsyeshme që të bëhet ekzaminimi toksikologjik i kërkuar nga avokati për shkak se ky ekzaminim përveçse do ta zgjaste procedurën nuk do te sqaronte asgjë nga ajo që është thënë nga eksperti”, ka thënë prokurori i shtetit Valdet Avdiu.
E avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, pati një kërkesë për gjykatën.
“Kërkoj nga gjykata ta refuzoj kërkesën për shkak se si përfaqësues i palës së dëmtuar konsideroj se brenda kësaj kërkese ka një tendencë për ta ndryshuar qasjen e të pandehurit dhe për ta ulur nivelin e përgjegjësisë ndaj tij”, ka thënë ai në kërkesë.
Trupi gjykues vlerësoi se të dyja kërkesat janë të panevojshme.
“Trupi gjykues vlerëson se raporti i autopsisë i përpiluar nga eksperti mjekoligjor Naim Haliti, në IML është raport profesional objektiv dhe të njëjtit trupi gjykues ia fal besimin meqë është përpiluar në të arriturat shkencore dhe në mënyrë profesionale duke përshkruar në mënyrë të saktë edhe shkakun e vdekjes së të ndjerës”, ka deklaruar Sahit Krasniqi, kryetar i Trupit Gjykues.
Pas refuzimit të kërkesave mbrojtësi i Dardan Krivaqës kërkoi që vazhdimi i seancës ku do të merreshin në pyetje të akuzuarit të ndërpritet dhe të shtyhet me arsyetimin se atyre u duhet kohë për përgatitje.
Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan
Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Por rasti është kthyer në rigjykim nga shkalla e dytë.