LAJMET E MBRËMJES

Edi Rama ia atribuon Ibrahim Rugovës shtrimin e rrugës për daljen e UÇK-së në skenë

Konferencë me titullin “Rugova dhe Perëndimi” ka organizuar Lidhja Demokratike, të hënën, në të cilën morën pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema e shumë mysafir të tjerë. Roli dhe veprimtaria e ish-presidentit Ibrahim Rugova u çmua dhe u vlerësua lartë

Shumë lavde e atribute iu thurën ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë konferencës që të hënën e organizoi LDK-ja, parti që e udhëhoqi nga themelimi deri në vdekje.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ish-kryeministri i Italisë Massimo D’Alema, përfaqësuesi nga Selia e Shenjtë, Vincenzo Paglia dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ishin folës të panelit të parë në Konferencën “Rugova dhe Perëndimi”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në hapje të konferencës tha se “Rugova ishte perëndimor autentik”.
E kryeministri Edi Rama u shpreh se Rugova ishte politikan atipik për Ballkanin. I dha merita edhe për UÇK-në.

“Ai, jo vetëm nuk gabonte. Por, në përvojën e tij që e krijonte përmes këtyre adresimeve, lind edhe një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm dhe pikërisht nga këmbëngulja gërryese e përroit që rrodhi urtësisht u bë e mundur edhe hapja e shtratit ku mori jetë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Rama. 

Kryeministri i Italisë gjatë kohës së luftës, D’Alema, tha se është i nderuar që Rugovën mundi ta quajë mik.

“Më shumë se kurrë, Ballkani ka nevojë për atë që unë e quaj ‘shpirti i Rugovës’, që është aftësia e liderëve që të çohen në këmbë për për popujt e tyre, pa rënë në ‘kurthin nacionalist’”, tha D’Alema. 

E ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, vuri në pah domosdoshmërinë e bashkëpunimit me aleatët, gjë që sipas tij, Rugova e kishte primare.

“Idenë e Rugovës ‘shtëpia nuk mbahet pa miq’ duhet shndërruar në thirrje për veprim. Ai e dinte rëndësinë e miqësive dhe aleancave”, tha Hovenier. 

Lidhja Demokratike mbajti edhe një diskutim pasdite me të tjerë panelistë. 

Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës, post që e ushtroi deri kur vdiq, më 21 janar 2006.