Vendosmëria e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair, për të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj regjimit të Slobodan Milosheviqit rezultoi me çlirimin e popullit shqiptar të Kosovës.
“Kjo është thjesht gjëja e duhur për t’u bërë”, ishte deklarimi i tij në mars të vitit 1999.
Po atë ditë ai i kërkoi popullit britanik që ta përkrahë vendimin e tij për dërgimin e trupave ushtarake në misionin për të ndalur vrasjen dhe spastrimin etnik të shqiptarëve.
Para ligjvënësve britanikë, Blair tha se mosndërmarrja e veprimeve ndaj regjimit të Slobodan Milosheviqit do të kishte pasoja fatale për paqen në Ballkan dhe më gjerë.
“Në vlerësimin tij, pasojat e mosveprimit janë më serioze për jetën e njerëzve dhe për paqen në një periudhë afatgjatë. Ne duhet të veprojmë që t’i shpëtojmë mijëra, gra, burra dhe fëmijë të pafajshëm prej një katastrofe humanitare, prej vdekjes, barbarizmit dhe spastrim etnik nga një diktaturë brutale dhe të shpëtojmë stabilitetin në Ballkan, që asnjë krizë të mos pengojë Bashkimin Evropian”, tha Blair më 27 mars të vitit 1999.
NATO-ja autorizoi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake serbe më 24 mars 1999.
Vendimi u mor pas përpjekjeve të dështuara disamuajshe të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Holbrooke, për ta bindur Milosheviqin që të pajtohej për armëpushim në Kosovë.
Fushata përfshiu rreth 1000 avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani.
Gatishmëria e Blairit për të ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve u nderua ndër vite nga populli i Kosovën. Madje, në nderim të tij shumë prindër ua lanë fëmijëve të tyre emrin e ish-kryeministrit britanik.