LAJMET E MBRËMJES

Kurti i sugjeron Lajçakut që draftstatutin e Asociacionit ta çojë në Komisionin e Venecias

“Nuk mund të sjellë frymën dhe germën pa e pranuar ofertën. Ata edhe më tutje insistojnë që duhet të kemi një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, nëse e heqin nga ekuacioni, atëherë merremi vetëm me ndërkombëtarët. Dokumentin e tyre, Lajçak dhe komisionerët e tjerë evropianë ta çojnë draftin e tyre në Komisionin e Venecias. Dokumentin tim do ta çoj në Kushtetuese. Nëse (presidenti i Serbisë, Aleksandër) Vuçiq është pajtuar me marrëveshjen bazike, përse të mos e pranoj unë. Por nëse hiqet Asociacioni, e shkatërrohet paketa, ashtu nuk pranoj. Ne jemi në të drejtën tonë. Presioni duhet të ishte në Beograd”, është shprehur Kurti në një intervistë për A2CNN

Kryeministri Albin Kurti e ka përjashtuar përfundimisht të enjten mundësinë e zyrtarizimit të draftit të propozuar nga Bashkimi Evropian (BE) për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që atë ta përcjellë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. 

Kurti, në një intervistë për A2CNN, ka thënë, të enjten, se nuk mund të gabojë me Asociacionin, për të cilin insiston pala serbe. 

“Asociacioni është i shprehur në dy marrëveshje në mesin e 39 marrëveshjeve që kanë bërë pararendësit e mi me Beogradin. Atje janë marrëveshjet, nuk e mohoj ekzistencën e tyre. Por marrëveshja e vitit 2013, e nënshkruar mes Thaçit dhe Daçiq, i ka 15 pika, gjashtë prej tyre janë për Zajednicën. Marrëveshjen më të dashur që ka Serbia kërkon 6 nga 15 pika që ta respektojë dhe ta zbatojmë ne. 60 për qind që e ka shkelur, nuk do që ta zbatojë. Më 2022, Beogradi dha urdhër në veri për zyrtarët që të tërhiqen nga sistemi i Kosovës”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti i ka sugjeruar emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që draftstatutin evropian ta përcjellë në Komisionin e Venecias. 

“E kam shprehur ofertën time, e cila duhet të pranohet fillimisht në parim. Nuk mund të sjellë frymën dhe germën pa e pranuar ofertën. Ata edhe më tutje insistojnë që duhet të kemi një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, nëse e heqin nga ekuacioni, atëherë merremi vetëm me ndërkombëtarët. Dokumentin e tyre, Lajçak dhe komisionerët e tjerë evropianë ta çojnë draftin e tyre në Komisionin e Venecias. Dokumentin tim do ta çoj në Kushtetuese. Nëse (presidenti i Serbisë, Aleksandër) Vuçiq është pajtuar me marrëveshjen bazike, përse të mos e pranoj unë. Por nëse hiqet Asociacioni, e shkatërrohet paketa, ashtu nuk pranoj. Ne jemi në të drejtën tonë. Presioni duhet të ishte në Beograd”, është shprehur Kurti. 

Idenë e kryeministrit që lehtësuesi i dialogut Lajçak ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Komisionin e Venecias e ka mbështetur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. 

“Drafti ka një parregullsi, sepse nuk është kompetencë e BE-së. Nëse nuk e modifikon këtë qëndrim, atëherë kjo tregon se BE-ja do që me zor t’ia marrë kompetencat Kosovës për hartimin e tij”, ka deklaruar Konjufca. 

Ai ka shtuar se Kosova është e gatshme që të diskutojë me BE-në lidhur me atë se kur duhet të jetë gati draftstatuti i Asociacionit, porse ka theksuar që hartimi i tij do të bëhet nga autoritetet e Kosovës. 

Në Zyrën e emisarit Lajçak të enjten nuk kanë komentuar rreth deklaratave të kryeministrit Kurti. 

Më 21 tetor të vitit të shkruar, Lajçak ia ka dorëzoi Kurtit draftstatutin për Asociacionin, për të cilin u pati thënë se do të dërgoheshin komente. Por as në BE dhe as në Qeveri nuk kanë treguan nëse ka pasur komente. 

Më pas, kryeministri Kurti e ka kushtëzuar pranimin e draftit me nënshkrimin e të gjitha marrëveshjeve nga dialogu i Brukselit. Serbia deri tash ka refuzuar që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për të cilën palët kanë arritur pajtim më 27 shkurt, si dhe Aneksin për Zbatimin e saj, të dakorduar në Ohër më 18 mars të vitit 2023. 

Aneksi i zbatimit përcakton se “Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Rendi i paragrafëve të këtij aneksi është pa paragjykim ndaj rendit të implementimit të tyre. Kosova dhe Serbia pajtohen të mos e bllokojnë implementimin e asnjërit nen”.

Zyrtarë qeveritarë në disa raste janë ankuar se vetë ndërmjetësit në dialog e kanë kushtëzuar zbatimin e pikave të tjera të Marrëveshjes me Asociacionin. 

Shtete të Bashkimit Evropian, të cilat janë, po ashtu, anëtare të Këshillit të Evropës (KiE), i kanë vënë parakusht Kosovës procedimin e draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, në këmbim të mbështetjes në Këshill për sa i përket anëtarësimit në këtë trup.

Zbatim të plotë nuk ka gjetur as Marrëveshja e Parë e ashtuquajtur për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjashtë pikat e para të saj i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vitin 2015 ishte arritur marrëveshje tjetër mbi parimet e Asociacionit, të cilën Gjykata Kushtetuese e pati hedhur poshtë.