Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëshminë Nuhi Bytyçi, gazetar, i cili kishte raportuar nga zonat e luftës. Tek ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte hierarki strikte, ai ka thënë se ushtarët e Ramush Haradinajt nuk e lanë të incizonin në Dukagjin ndonëse bashkë me të ishte edhe Hashim Thaçi
Nuhi Bytyçi, i cili punoi gazetar edhe në kohën e luftës, ka thënë para Gjykatës Speciale në Hagë se UÇK-ja nuk ka qenë ushtri me hierarki strikte.
Në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, gazetari Bytyqi ka dëshmuar, i ftuar nga Prokuroria.
“Nuk ka pasur hierarki strikte si i kanë ushtritë e rregullta, sepse unë kam pasur vështirësi në disa zona të luftës sidomos kur kam shkuar në Dukagjin, kam shkuar bashkë me z. Thaçi, i cili ka qenë përgjegjës për informim, por ushtarët që kanë qenë nën komandën e Ramush Haradinajt nuk më kanë lejuar që të bëja filmime bashkë me kameramanin Abaz Zeka”, ka thënë Bytyçi.
Bytyçi gjatë luftës ka realizuar raporte dhe dokumentar që janë transmetuar në Radiotelevizionin Shqiptar.
Por, prokurori Matt Halling e ka përballur vazhdimisht atë me pjesë nga libri me titull “Libri i luftës”, botim i vitit 2019.
Prokurori iu referua edhe një raporti të gazetës “New York Times”, për një incident në fshatin Bardh i Madh, ku pretendonte se ushtarë të UÇK-së kanë vrarë 11 punëtorë serbë të termocentraleve. Kjo nxiti një varg kundërshtish mes Prokurorisë dhe mbrojtjes.
“Njoftimi i të akuzuarve nëse ka kryer krime UÇK-ja është çështje qendrore në këtë gjykim dhe njësoj si rasti i ofensivës së Rahovecit që ka ndodhur shkurtimisht pas ngjarjeve në Bardhin e Madh, ekzistojnë shumë pretendime që janë kryer krime nga UÇK-ja në këtë zonë dhe janë kryer në fillimin e periudhës kohore të ngritur në aktakuzë”, ka thënë prokurori Halling.
Për këtë mori përgjigje nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.
“Ne po ju themi pra që nuk është i përmendur ky incident konkret në aktakuzë. Nuk jemi njoftuar si duhet, ne si mbrojtje sa i përket faktit që është hetuar ky incident dhe ata po përpiqen që të përfshijnë drejtpërdrejt të akuzuarit në një incident të papërmendur në aktakuzë”, ka thënë Mishetiq.
Para se të fillonte dëshminë Bytyçi, në seancë të mbyllur ka vazhduar dëshminë një ish-pjesëtar i LDK-së që, sipas Prokurorisë, është ndaluar dhe rrahur nga UÇK-ja.
Ai dëshmoi edhe të hënën, po në seancë të mbyllur për publikun.
Për dëshminë e tij prokurori James Pace të hënën ka dhënë edhe një përmbledhje.
“Dëshmitari 03170 ishte një anëtar i LDK-së që është arrestuar së bashku me një person tjetër. Gjatë transferimit në një prej vendeve ku këta persona janë ndaluar, dëshmitari 03170, duart e tij dhe duart e një personi tjetër u lidhën dhe ata janë kërcënuar dhe janë rrahur”, ka thënë Pace.