LAJMET E MBRËMJES

Veseli: Dikush ta marrë përgjegjësinë e vendimmarrjes që të garantojë që gjykimi të jetë i drejtë

Kadri Veseli

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli ka kërkuar nga Gjykatës Speciale të marrë përgjegjësinë e vendimmarrjes që procesi gjyqësor ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë të jetë i drejtë. Ai, ashtu si edhe avokatët mbrojtës kërkuan që procesi gjyqësor të mos stërzgjatet. Veseli i tha Gjykatës se edhe besimi i publikut mbi këtë proces do të luhatet nëse i lejohet Prokurorisë që ta stërzgjasë procesin me dëshmitarët që i ka propozuar.

Ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në Gjykatën Speciale i është drejtuar trupit gjykues në konferencën për ecurinë e çështjes.

Veseli i ka kërkuar trupit gjykues që gjykimi të mos stërgjatet, meqë, sipas tij, në rrethanat kur Prokuroria i shkel projeksionet e saj do të bjerë edhe besimi i publikut në këtë proces gjyqësor.

“Dikush duhet ta marrë përgjegjësinë e vendimmarrjes që ky proces para popullit të Kosovës të jetë jo vetëm fer, jo vetëm transparent, jo vetëm të respektoje procedurat dhe ligjet e Republikës së Kosovës por edhe të ruajë edhe të garantojë një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme. Unë i nderuar trup gjykues frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime, nuk ka të bëjë vetëm me fatin tonë individual, ka të bëjë me një mesazh të cilin do ta dërgojmë të populli i Kosovës i cili e ka krijuar me vetëdije të plotë, e them edhe një herë me vetëdije të plotë, por edhe me besim këtë gjykatë tek ju si partnerë tanë ndërkombëtare dhe nuk duhet që në asnjë mënyrë  që t’i cenohet ky besim”, theksoi Veseli.

Ai tha se po sheh edhe sjellje joprofesionale para Gjykatës, për çka u shpreh se i vjen keq që po e bën avokati i tij, Ben Emmerson. 

“Kemi krijuar një përvojë bukur të gjatë por po e shoh një komunikim i cili nuk po më duket shumë normal e as profesional, reagimet... Nuk po paragjykoj por, si i akuzuar kam të drejtë ta jap një mesazh. Nuk do të kisha dëshirë që në gjëra që janë jashtë realitetit tim të ndikohet dhe të paragjykohet, për shkak se ka një mospërmbajtje, sidomos në adresimin e avokatit tim të nderuar Ben Emmerson”, deklaroi ai. 

Mbajtjen e kësaj seance të tipit procedural e propozoi mbrojtja e të akuzuarve, e cila shprehu shqetësim se me ritmin që po ecën Prokuroria me dëshmitë e dëshmitarëve, nuk do të përfundojë dhënia e dëshmisë së tyre deri në prill të 2025-s, siç e ka parashikuar Prokuroria.

“Ngelen ende rreth 200 orë që nga 1 prilli 2025 dhe nëse zbatojmë këtë përllogaritje me 1.08 për orë në ditë, domethënë që na duhen edhe 216 ditë në sallën e gjyqit që Prokuroria të përfundojë me provat e veta duke filluar nga 1 prilli 2025. Nëse e zbatojmë rregullin e 100 ditëve që i kemi ne në vit, kjo do të thotë që ZPS-ja mund t’i përfundojë provat e veta rreth majit të 2027-s. Kjo është një hipotezë dhe unë dua ta kuptoj se ku qëndrojmë ne aktualisht”, deklaroi avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq.

E Prokuroria tha se punën e saj e ka reduktuar me numrin e orëve dhe  të dëshmitarëve që pritet t’i marrë në pyetje. 

Megjithatë, prokurori Matthew Halling e pranoi se as kjo nuk është e mjaftueshme për ta arritur projeksionin e saj. 

“Ne nuk garantonim që do ta mbyllnim çështjen tonë brenda këtij afati kohor, por nuk thamë që nuk do të mund ta bënim një gjë të tillë. Do të thosha që ritmi i përshpejtuar është i pamjaftueshëm. E pranojmë këtë. Për këtë arsye kemi thënë që presim edhe reduktime të tjera për t’iu përmbajtur këtij afati kohor”, tha ai.

Sipas Prokurorisë, numri i dëshmitarëve që pritet të dëgjohen deri në prill të 2025-s është 104.