LAJMET E MBRËMJES

Ish-eprori i policisë serbe të Istogut thotë se me Çaslav Joliqin u njoh në burg

Momir Pantiq

Momir Pantiq i dyshuar për krime lufte në Istog ka dëshmuar në rastin ku Çaslav Joliq akuzohet për krime lufte në atë rajon. Pantiqi, i cili ka qenë ish-epror i MUP-it serb, tha se nuk e njihte të akuzuarin gjatë luftës, meqë nuk i njihte mirë policët rezervistë që u mobilizuan gjatë luftës. Por, të dëmtuarit e përgënjeshtruan.

I dyshuari për krime lufte, Momir Pantiq, foli të enjten në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit dhe tha se nuk e ka njohur Çaslav Joliqin, që akuzohet për krime lufte në rajonin e Istogut. 
Pantiq tha se shumicën e rezervistëve si Joliqi nuk i njihte, meqë s’kishte punë me ta.

“A e keni njohur më herët si person si Çaslav Joliq, a jeni njohur me të?” – tha Valbona Musliu-Selimaj, anëtare e trupit gjykues.

“Jo, për besë jo…S’kam shkuar unë nëpër shtëpi…Për herë të parë në burg”, tha Pantiq.  

Dëshmitari dhe i akuzuari janë në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku edhe janë takuar më herët. Pantiqi, që dëshmoi të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kishte pozitë udhëheqëse, si zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për rajonin e Istogut.

Ai tha se ia njihte të vëllanë, por jo të pandehurin, meqë u shpreh se kryesisht i njihte policët e rregullt të Gurrakocit dhe Banjës së Pejës ku ishte përgjegjës. 

Ai tha se i dëmtuari Zef Malsia ka qenë në zyrën e tij gjatë luftës dhe i ka thënë se Radule Pejçinoviq – “Dulle” e ka rrahur, por se nuk ia ka përmendur të pandehurin.

“Keni filluar një procedurë të veçantë për Zoran Joliqin... Po ju pyes, a e keni pyetur ju “Dullen” në atë kohë me kë ka qenë në shërbim meqenëse keni marrë ankesë prej Zef Masisë”, tha Mentor Bajraktari, anëtar i trupit gjykues.

“S’ka qenë puna ime të marr deklaratë prej “Dulles””, tha Pantiq.

Gjykimi u tensionua meqë dëshmitarët të dëmtuar në këtë rast insistuan që ata t'i shprehnin kundërshtimet e tyre ndaj dëshmitarit Pantiq dhe e fajësuan edhe atë për rrahje.

E, konform vendimit të trupit gjykues, kundërshtimet e tyre u dëgjuan pas përfundimit të dëshmisë së Pantiqit.

“Ky ka qenë kryeshef stacionit të policisë së Istogut, numër 1. Çdo gjë është organizuar nga ana e tij…Brenda më ka thënë: për ty po shkruhet zi, do të burgosesh dhe më ka thënë ti akuzohesh për dy vepra penale: për mbledhje të ndihmave për terroristë edhe spiunazh kundër shtetit. Ky ma ka thënë, në zyrën e vet”, tha i dëmtuari Zef Malsijaj.

“Nuk e ka thënë të vërtetën se unë prej të 90-tës jam taksist që e di…Ushtria e tija ka qenë”, tha i dëmtuari Nexhmedin Curraj.

Seanca e radhës për këtë rast të krimeve të luftës u caktua për datën 24 maj, në të cilën do të deklarohet vetë i akuzuari Çaslav Joliq.