LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Qeveria s’e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacionin

Qeveria e Kosovës nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kushtetuese. Kryeministri Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën, tha se ky draft nuk është as dokument, meqë nuk është firmosur dhe se për këtë temë duhet të diskutohet në Bruksel, e jo në Strasburg, ku e ka selinë Këshilli i Evropës

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën, u shpreh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në këtë organizatë dhe se kushtëzimi me Asociacionin, është jashtë parimeve e standardeve.

Kushtëzimin e Francës dhe Gjermanisë, që Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, ai e quajti absurd, meqë, sipas tij, ai nuk është as dokument zyrtar.

“Refuzimi nuk është pranim. Refuzimi është refuzim. Nëse më datë 26 tetor 2023 do të pranohej dhe nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel vetëm atëherë ai draftstatus do të mund të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Draftstatuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerë të QUINT-it dështoi të zyrtarizohej si dokument pasi u refuzua. Si i tillë është një jo dokument, pra është një ‘non paper’. Qeveria nuk mund të dërgojë dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se është për keqardhje mungesa e përkrahjes nga shtetet aleate dhe se kjo, sipas tij, nuk do t’i ndihmojë normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi e as demokracisë.

“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet të cilat deri më tani nuk e kanë njohur republikën e Kosovës, por assesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim, e më herët ishin pranë nesh për çlirim e pavarësim”, ka shtuar ai.

Kurti theksoi se për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe për themelimin e Asociacionit, bisedat duhet të zhvillohen në Bruksel, e jo në Strasburg, ku e ka selinë Këshilli i Evropës. 

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca, kanë përsëritur të hënën se procedimi i drafstatutit të Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm për ta siguruar mbështetjen në vendimmarrjen finale të Këshillit të Evropës, këtë muaj.

E Britania e Madhe, Holanda, Suedia, Belgjika dhe Finlanda i kanë ofruar Kosovës mbështetje pa kushte shtesë për anëtarësim në këtë organizatë.

Forumi i ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës do të mblidhet më 17 maj.