LAJMET E MBRËMJES

Serbëve u ofrohen 3 muaj afat për kthimin e patentë shoferëve ilegalë në RKS

Qytetarëve serbë që dëshirojnë t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në ata RKS, institucionet u kanë ofruar lehtësira. Hollësitë mbi vendimin e Ministrisë së Brendshme shpalosi kryeministri Albin Kurti, teksa tha që pajisja me patentë shoferë të Kosovës u mundëson qytetarëve regjistrim më të lehtë të automjeteve

Qytetarët serbë që deri më tani kanë drejtuar automjete me patentë-shoferë të lëshuar nga institucione jolegale serbe, do të kenë mundësi që t’i konvertojnë ato në lejet që i lëshojnë institucionet e Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur që për këtë qytetarët serbë të mos detyrohen t’i nënshtrohen provimit për patentë shofer.

E me anë të një video-adresimi në gjuhën serbe, kryeministri Albin Kurti ka thënë se me anë të këtij vendimi synohet që qytetarëve t’u mundësohen lehtësime.

“Një kohë të gjatë tani pranojmë kërkesat tuaja për marrjen e një vendimi të këtillë. Ne duam t’ju lehtësojmë qytetarëve tanë problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen. Tani është e nevojshme infrastruktura në vend, andaj edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pozitivisht. Është mundësuar një proces shumë i lehtë dhe efikas për kalimin në patentë shofer të vlefshëm”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka theksuar se me posedimin e patentë shoferëve të lëshuar nga institucionet e Kosovës, mundësohet regjistrim më i lehtë dhe më praktik i automjeteve, tek tregoi edhe për dokumentet që duhet të dorëzohen për konvertimin e lejes ilegale në atë legale të Kosovës.

“Kalimi në patentë shoferë të RKS-së mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Për më tepër, nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente, përfshirë: letërnjoftimin, origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës dhe origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtim të kategorive”, ka thënë Kurti.

Afati për konvertimin e patentë shoferëve, i cili do të hyjë në fuqi nga e enjtja e 9 majit, do të vlejë deri më 9 gusht.