LAJMET E MBRËMJES

Kurteshi: E kam shtyrë, por nuk e sulmova zyrtarin

Për një veprim të bërë në kohë pandemie brenda hapësirave të KQZ-së, Sami Kurteshi ka dhënë versionin e tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ai ka mohuar se për mosvendosje të maskës e ka sulmuar zyrtarin Adnon Berisha, por e ka pranuar se e ka shtyrë dhe nxjerrë jashtë hapësirës së institucionit

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, e ka mohuar të martën në gjykatë se tre vjet më parë e ka sulmuar zyrtarin Adnon Berisha.
Në dhjetor të 2011-s, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Kurteshit, nën dyshimin se ai e ka sulmuar Berishën, pasi nuk i ishte bindur kërkesës për ta vendosur maskën në kohë pandemie.

Kurteshi tha në Gjykatë se në momentin kur kishte hyrë në korridor të selisë së KQZ-së, e kishte parë një person tek aparati i kafes, i cili kishte qenë pa maskë. 

“Edhe nuk e kam njoftë. Vetëm e kam pyet: ‘djalo ku e ki maskën?’. Kjo ka qenë pyetja e vetme, edhe herën e parë nuk është përgjigjur. Herën e dytë i kam thënë: ‘djalo ose vendose maskën ose dil jashtë’”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij, Berisha i ishte përgjigjur me fjalët: “As s’e vendosi, as s’dal jashtë”.

“Edhe e kam hapur derën e zyrës sime, e kam lënë çantën në zyrën time dhe kam shkuar e kam shtyrë nga prapa të dëmtuarin, e kam afruar deri te dera. S’ka rezistuar. Asnjë fjalë s’e ka folur. S’e kam shtyrë me forcë”, ka thënë Kurteshi në gjykatë.

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dëshmuar edhe dëshmitari Shkëmb Krasniqi. Ai ka thënë se reagimi i Kurteshit ishte i tepruar.

“Nëse më kujtohet mirë, kanë filluar bërtimat për vendosje të maskës dhe pastaj me shtyrje, e largon nga objekti, për mosvendosje të maskës. Shtyrje ka qenë”, ka thënë Krasniqi. “Reagimi ka qenë për maskën, por nuk ka pasur nevojë për një reagim të tillë”.

Pas paraqitjes së mbrojtjes së të akuzuarit, seanca ka vazhduar me administrimin e provave, ndërkaq fjala përfundimtare është caktuar për datën 26 prill.

Në janar, deputeti i PDK-së, Xhavit Halitit, u dënua me 1000 euro gjobë, për shtyrje të kolegut të tij nga radhët e LDK-së, Arben Gashi.