LAJMET E MBRËMJES

Pezullohet profesori i denoncuar për ngacmim seksual të studenteve

Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka pezulluar të martën nga pozita e profesorit, Xhevat Krasniqi, i denoncuar në shkurt të këtij viti nga 27 studente për ngacmim seksual. 

Vendimi u mor pas rekomandimit të Këshillit të Etikës, që Krasniqi të pezullohet nga puna deri sa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

Në Prokurorinë e Prishtinës kanë thënë të martën se kanë iniciuar rast ndaj Krasniqit për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Prorektori Faton Berisha ka thënë se për vendimin e Rektoratit palët mund të ankohen ndaj vendimit në Senat. 

“Këshilli i Etikës insiston që ky vendim është ekzekutiv dhe Senati të jetë shkallë e dytë pas ankimit eventual të njërës nga palët. Ky ishte interpretimi rregullores nga Këshilli i Etikës”, ka thënë ai.
Mirëpo, vendimin e kanë quajtur skandaloz nga Lëvizja Feministe Studentore, aktivistë të së cilës protestuan për tetë ditë para Rektorati me kërkesën për përjashtimin e Krasniqit. 

Në një konferencë për media, pak pas vendimit të rektoratit, studentja dhe aktivistja Anita Mjeku, vlerësoi se vendimi është në kundërshtim me rregulloren e UP-së për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi dhe ngacmimi seksual.

“Duke e marrë vendimin për pezullim të punës jo në baza të akuzave brenda UP-së, por në përkatësitë e institucioneve të jashtme shtetërore, Këshilli i Etikës e hoqi përfundimisht petkun e një organi që përmbush qëllimin e sjelljes para përgjegjësisë së ngacmuesve, dhe tregoi fytyrën e tij të vërtetë. Duke e shkelur nenin 11 pikën 7 të rregullores së UP-së për ngacmime seksuale, duke mos e marrë vendimin në mënyrë të pavarur nga procedurat e jashtme”, ka thënë ajo. 

Neni 11, paragrafi 7 i Rregullores, përcakton se "Universiteti i Prishtinës do të zbatojë masat dhe procedurat disiplinore për rastet e ngacmimit dhe ngacmimit seksual, pavarësisht nga zhvillimi i procedurës penale për rastin e njëjtë".

Studentë dhe aktivistë paralajmëruan përshkallëzim të protestave, me kërkesën për përjashtimin e Krasniqit dhe dorëheqjen e anëtarëve të Këshillit të Etikës, që e pati në trajtim rastin. 

E, në komunikatën e lëshuar nga Rektorati për vendimin e marrë, thuhet se “Këshilli i Etikës është duke u sulmuar në mënyrë të ashpër në baza personale nga akterë të jashtëm dhe stafi akademik”. 
“Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës refuzon sulmet brutale nga persona brenda dhe jashtë UP-së dhe kërkon përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulm ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit të UP-së. Me datë 22 prill, Këshilli i Etikës është sulmuar në mënyrën më të ashpër, pa arsye dhe në baza personale nga individë, të saktësuar në Vendimin e Këshillit të Etikës, që rezulton të jenë staf i portaleve, gazetarë, përfaqësues të OJQ-ve dhe staf akademik i UP-së”, thuhet në vendimin e UP-së.