LAJMET E MBRËMJES

43-vjeçarja Gjyljeta Ukelli qëllohet më plumb në kokë nga bashkëshorti i saj i cili dorëzohet në polici

Katër ditë pas vrasjes së një gruaje 21-vjeçare në Ferizaj, ku i dyshuar është ish-bashkëshorti i saj, të martën në Pejë edhe një grua është privuar nga jeta nga bashkëshorti. Dorasi është dorëzuar në Polici e me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. Policia e Prokuroria nuk kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Qyteti i Pejës është tronditur të martën pasi një grua 43-vjeçare është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, i cili më pas është dorëzuar në Polici.

Ngjarja ndodhi në qendër të Pejës, në rrugën “Bill Clinton”, në një objekt banimi kolektiv pesëkatësh. 

Sipas të dhënave që ka siguruar KOHA, Gjyljeta Ukelli u qëllua me një plumb në kokë. 

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.

Por, nuk ka treguar për motivet e këtij rasti. 

“Viktima është privuar me armë zjarri kurse i dyshuari është vetëdorëzuar në Stacionin Policor, i është sekuestruar arma e zjarrit dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokurori do të parashtrojë kërkesë për paraburgim në Gjykatën Themelore në Pejë”, tha Nikçi. 

Ngjarja ndodhi në qendër të Pejës, në rrugën “Bill Clinton”, në një objekt banimi kolektiv pesëkatësh. 
Para derës së apartamentit ku ndodhi vrasja qëndruan policë, e vendin e krimit doli për ta parë edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

Ai tha se në rast se ka pasur neglizhencë nga zyrtarë policorë, ata do të mbahen përgjegjës.

“Ajo çfarë dimë është që prej vitit 2021 nuk ka pasur asnjë rast të raportuar në polici lidhur me dhunën në familje. Ne po analizojmë raportet tona, po shohim cilat kanë qenë përgjegjësitë, roli dhe puna e policisë në këtë rast. Në qoftë se ka pasur ndonjë lëshim në procedura në punë normalisht që çdokush do të mbahet përgjegjës për dështimet eventuale që kanë mundur të ndodhnin”, tha Hoxha.

Trupi i së ndjerës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’iu kryer obduksioni.

E i dyshuari ka qenë i gjobitur më parë nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale “Dhunë në familje” në vitin 2021.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës, një ditë pasi u marshua e u protestua për të kërkuar drejtësi për një rast të ngjashëm që ndodhi të premten në Ferizaj, ku një grua u privua nga jeta e i dyshuar është ish-bashkëshorti saj.