LAJMET E MBRËMJES

Vrasje pranë Qendrës për Punë Sociale, 21-vjeçarja qëllohet me armë nga ish-bashkëshorti

Mosmarrëveshje për çështjen e kujdestarisë së fëmijës së tyre dyshohet se kanë çuar në vrasjen e 21-vjeçareje nga ish-bashkëshorti, ndërsa të dy ishin në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Dorasi, i cili është arrestuar pak pas ngjarjes së rëndë, ka plagosur edhe vëllain e saj 15-vjeçar dhe ka kërcënuar një punonjëse të qendrës. Vrasjen e kanë dënuar drejtues të institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë civile

Një grua 21-vjeçare nga Ferizaj është qëlluar për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të premten pasdite, pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Në momentin e krimit, tashmë e ndjera ishte e shoqëruar nga i vëllai 15 vjeç që mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën. 

Burime të KOHËS thanë se çifti ishte në proces të ndarjes dhe se mes tyre ka pas mosmarrëveshje për çështjen e kujdestarisë së fëmijës së tyre. Sipas këtyre burimeve, e ndjera e kishte sjellë fëmijën në qendër që të realizojë kontaktin me babanë, i cili pasi e ka takuar për dy orë, e ka kthyer në qendër dhe duke dalë nga objekti i këtij institucioni, ka takuar ish-bashkëshorten dhe e ka qëlluar për vdekje.
Burri me inicialet V.A. që shkrepi plumba ndaj ish-bashkëshortes, ka kërcënuar edhe një punëtore sociale në qendër.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se 36-vjeçari është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për vrasje.  

“Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartcekur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 
E policia bëri të ditur se pasi u raportua për të shtëna, në orën 15:15 ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin për vrasje dhe e ka shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura të tjera hetimore.

Hetuesit dhe krim-teknikët rajonalë për disa orë kanë qëndruar në vendin ku është kryer krimi dhe kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes. 

Pak orë pas ngjarjes së rëndë kanë reaguar përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe ata të shoqërisë civile. 

Kryeministri Albin Kurti ka dënuar aktin e vrasjes dhe ka kërkuar që drejtësia të veprojë pa vonesa. 
“Nuk kemi pse presim që t’i dimë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje. Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”, thuhet në reagimin e kryeministrit Albin Kurti. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të tregohen të pakompromis në adresimin e rasteve të tilla, tek bëri thirrje për dënim maksimal ndaj të dyshuarit.
“Edhe një jetë u shua sot! E tronditur nga lajmi për vrasjen gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Një krim tjetër i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal. Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromis në adresimin e këtyre rasteve”, ka shkruar Haxhiu. 

I tronditur me vrasjen është shprehur edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, që nëpërmjet një postimi në Facebook e shprehu pritjen që institucionet e drejtësisë t’i japin dënimin meritor të dyshuarit. 

E drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka kërkuar që pas vrasjes së 21-vjeçares pranë objektit të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, të pasojnë dorëheqjet.

“Edhe një grua vritet në mes të ditës në institucion shtetëror. Në një shtet normal dorëheqjet si akt moral do të pasonin sot. Jo arsyetime koti, jo sqarime, por dorëheqje”. 

Për vrasjen në Ferizaj ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.

“I tmerruar dhe i pikëlluar nga vrasja e një gruaje 21-vjeçare dhe plagosja e një djali 15-vjeçar sot në Ferizaj. Ne e përgëzojmë Policinë për arrestimin e menjëhershëm të një të dyshuari për atë që duket të jetë një femicide”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

I dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes, sipas zëdhënëses së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu, ka të kaluar kriminale. Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ajo ka thënë se nuk janë të konfirmuar natyra e veprave të tij, por se dihet se “figuron në sistemin e së kaluarës me vepra penale”.