Profesori i denoncuar Xhevat Krasniqi dhe disa nga studentet që e denoncuan atë janë intervistuar nga Këshilli i Etikës, të enjten. Studentet kanë shprehur kritika ndaj anëtarëve të Këshillit të Etikës për shpërfillje të rrëfimeve të tyre për ngacmim seksual. E studentët e Lëvizjes Feministe Studentore ua bllokuan daljen anëtarëve të Këshillit nga Rektorati i UP-së
Me tri javë vonesë nga ajo që e parasheh rregullorja, Këshilli i Etikës i ka intervistuar palët të enjten, në rastin e denoncimit të 27 studenteve për ngacmim seksual ndaj profesorit Xhevat Krasniqi.
Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj stafit akademik, parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditëve pas paraqitjes së shkeljes.
“Intervistimi të bëhet sa më shpejt, sa më shpejt që është e mundur pas paraqitjes së shkeljes së dyshuar, por jo më vonë se pesë ditë pune, duke siguruar se shkelësi i dyshuar është njoftuar dy ditë pune më herët”, shkruan në nenin e 7 të rregullores.
Tri nga studentet që u intervistuan të enjten, në kushte anonimiteti kanë thënë se anëtarët e Këshillit nuk i dëgjuan rrëfimet e tyre për ngacmim seksual.
“Patëm një eksperiencë jo të mirë duke filluar prej faktit që nuk më lejuan të shprehem emocionalisht se si jam ndier kur më ka ngacmuar profesori Xhevat Krasniqi. Nuk dëshironin ta dëgjonin rastin tim për ngacmim, ata u fokusuan më shumë për pjesën e mosvlerësimit, e pjesën e ngacmimit as nuk dëshironin ta dëgjonin”, ka treguar njëra nga studentet në kushte anonimiteti.
Studentet u intervistuan nga 10 minuta veç e veç nga katër anëtarët e Këshillit të Etikës: Izet Morina, Skender Muji, Arben Hajdari e Rrezeart Galica. E profesori Krasniqi qëndroi 45 minuta brenda në intervistim. Përderisa brenda zhvillohej intervistimi, studentët e Lëvizjes Feministe Studentore protestonin para Rektoratit për të dytën ditë radhazi me kërkesën që të përjashtohet profesori Krasniqi dhe të shkarkohen anëtarët e Këshillit.
Pas përfundimit të intervistimit, studentët protestues ia bllokuan daljen anëtarëve të Këshillit për 40 minuta. E për t’ia mundësuar daljen u nevojit ndërhyrja e policëve, të cilët pas bashkëbisedimit me protestuesit, i ndihmuan anëtarët e Këshillit të dalin jashtë objektit.
Anëtarët e Këshillit Skender Muji, Arben Hajdari e Rrezeart Galica, nuk u prononcuan pas intervistimeve që bënë.
E kryesuesi i Këshillit, Iset Morina u deklarua shkurt.
“Meqë e keni të qartë se Republika e Kosovës është shtet ligjor dhe parimet fundamentale për trajtimin objektiv vlejnë edhe për këtë proces”, ka thënë ai kur u pyet nga KOHA për arsyen e zvarritjes së trajtimit të rastit.
KOHA po ashtu kërkoi sqarime nga Morina ndaj kritikave që studentet shprehën se anëtarët e Këshillit i kanë intervistuar për çështje të notimit dhe jo për denoncimin për ngacmim seksual, por kryesuesi i kësaj instance nuk u përgjigj.
Akuza për sjellje joprofesionale të anëtarëve të Këshillit ka hedhur edhe një studente, e cila pati denoncuar ish-profesorin në Fakultetin e Filologjisë Bekim Bejta për ngacmim. Studentja e cila ishte e pranishme në protestën që po zhvillohej kundër Krasniqit, ka thënë se nuk është ndierë e sigurt në intervistim.
“Këshilli i Etikës nuk është prezantuar fare, unë nuk e kam ditur me kënd po flas, nga cili fakultet janë ata profesorë. Dhe kryesuesi që është Iset Morina, që më vonë e kam marrë vesh kush është, dy herë ma ka ndërprerë fjalën duke më thënë që ai mund ta ndalë procesin në çfarëdo kohe për çfarëdo lloj arsye”, ka treguar ajo, po ashtu në kushte anonimiteti.
E rektori Qerim Qerimi për të dytën ditë nuk është paraqitur fare në zyrën e tij, pasi disa studente janë duke zhvilluar protestë gjithëditore para Rektoratit që nga e mërkura. Të mërkurën këshilltari i Qerimit e ka arsyetuar mungesën me angazhimet në terren. Ndërsa të enjten as rektori e as menaxhmenti i Rektoratit nuk dhanë sqarime.