Agjencia Kadastrale ka pranuar një shkresë nga kryeministri Kurti, me të cilën i është kërkuar ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit. Vendimi që ia njeh 14 hektarë tokë manastirit, është kundërshtuar në masë në Kosovë, e ndër kundërshtarët më të mëdhenj ka qenë edhe Kurti. Por, tek e ka arsyetuar shkresën, ai ka thënë se ka vepruar kësisoj, për një qëllim tjetër më madhor siç është anëtarësimi e Kosovës në Kshillin e Evropës. Sipas tij, nuk kishte opsion të tretë
Kryeministri Albin Kurti ka urdhëruar të mërkurën Agjencinë Kadastrale që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat rreth Manastirit të Deçanit.
Kryeministri e ka kumtuar lajmin në mbledhjen e Qeverisë, dhe ka thënë se është detyruar ta ndërmarrë këtë hap për një qëllim tjetër më madhor siç është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Në dy vitet e fundit Qeveria jonë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, unë si kryeministër, anëtarët e Qeverisë veç e veç, presidentja, kryeparlamentari, delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputetët e tjerë të Kuvendit, të gjithë kemi qenë të angazhuar në një proces shumë të vështirë lobimi për ta bërë realitet anëtarësimin e Republikës sonë në Këshillin e Evropës. Nuk kemi lënë gurë pa lëvizur e njeri pa takuar”, ka theksuar kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Megjithatë, ai ka theksuar se pasi që kërkesa për anëtarësim është proceduar tutje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës vitin e kaluar, Komiteti përgjegjës i Asamblesë ka bërë një vlerësim të hollësishëm të kuadrit institucional e ligjor sa i përket demokracisë, të drejtave të njeriut e standardeve të qeverisjes në Kosovë.
“Një raport i juristëve eminentë, dokument ky zyrtar i Këshillit të Evropës ka konstatuar se Kosova është një shtet me kuadër të qëndrueshëm të institucioneve demokratike. Raporti i ka listuar disa kushte ndër të cilat ka qenë edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Manastirin e Deçanit të vitit 2016. Raporti është publik dhe mbetet një dokument që nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në Këshillin e Evropës. Do të mbetej si listë kushtesh sot, pas një viti, pas 10 vitesh”, ka shtuar tutje Kurti. “Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve, na është bërë e qartë se nga shumë kushte që i kemi pasur për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jourgjente. Por, njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit”, ka thënë kryeministri.
Qeverisë, sipas Kurtit, i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet kryesore në Asamblenë Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e Quintit që duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve: të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimi në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht, siç ka thënë ai, heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues.
“E provuam më datën 5 mars për herë të fundit që të shtyjmë miratimin e opinionit për anëtarësim në Komitetin në fjalë, por pa sukses. U bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjedhje të tretë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje teksa ne si Qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm, asnjëherë”, është shprehur kryeministri Kurti. “Në anën tjetër, s’ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur. Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje jam prirë nga arsyeja e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Republikës së Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit tonë”.
Kurti gjithashtu ka thënë se askush nuk ka të drejtë t’ia humbasë qytetarëve të Kosovës të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’iu qasur Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e dhjetëra mekanizmave të tjerë që, sipas tij, e përbëjnë makinerinë demokratike panevropiane të Këshillit të Evropës.
“Shtet i konsoliduar e i barabartë në Kontinentin Evropian je para së gjithash duke qenë anëtar i Këshillit të Evropës. Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij. Por megjithëkëtë për të arritur një qëllim shumë madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
“Kah mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe në fund të majit është Këshilli i ministrave në Këshillin e Evropës që vendos për anëtarësimin e tonë”, ka thënë kryeministri.
Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje kishte zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.