Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës protestuan edhe të martën para Rektoratit, me kërkesën për rritje të pagave. Ata njoftuan për ndërprerjen e grevës së nisur prej më shumë se tri javësh, teksa i dhanë një javë kohë Rektoratit për të shqyrtuar kërkesat e tyre.
E gjatë protestës ata e vlerësuan të pamjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve mujore pagën e tyre prej 250 eurosh.
“Me ato paga është boll e vështirë, duke i parë çmimet që janë rritur. Çka me bë me 200 euro, ku është rryma, ku janë familja me i ushqy e të tjera. Së pari për vete, rrugën me shku dhe me ardh në shtëpi me këto 200 euro nuk ja vlen. Plus të e vjet me 200 euro kjo është katastrofë sikur me jetu spo di ku, e lere më në Kosovë”, ka thënë Fazile Fazliu, punëtore teknike.
E Zeqir Krasniqi, punëtor i sigurimit pret që të mirëkuptohen kërkesat e tyre nga institucionet.
“Me të vërtetë, 250 euro pagë sot, është jo pagë, por ndihmë sociale, sepse nuk mundet asnjë familje t’i përballojë. Shpresoj se edhe Rektorati edhe udhëheqësit, edhe Ministria e Arsimit edhe Ministria e Financave do të reflektojnë në një periudhë shumë të shkurtër edhe do të na bëhet paga edhe neve 400 euro për arsye se standardi është shumë i lartë”, ka theksuar Krasniqi.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, njoftoi se këtyre punëtorëve të martën u skaduan kontratat e punës, tek kërkoi nga Rektorati që edhe një herë t’i shqyrtojë kërkesat e tyre.
“Ne jemi më të fortë sesa ditën e parë që kemi hyrë në grevë. Ju garantoj se me këtë organizim, ju garantoj ky rektorat kurrë nuk do ta gjejë qetësinë pa e bërë pagën 400 euro, dhe atë mund të garantojmë se këtë pagë mund ta mbajmë vetëm për gjashtë muaj”, ka deklaruar Azemi.
Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të UP-së janë përkrahur edhe nga studentët që kanë vendosur disa pankarta me mbishkrime të ndryshme në hyrje të Rektoratit.