Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës, të cilët prej më shumë se tre javësh kanë hyrë në grevë duke kërkuar rritjen e pagave, gjatë së hënës kanë protestuar para Rektoratit. Kanë thënë se do të vazhdojnë me protesta deri në shqyrtimin e kërkesave të tyre. Protesta është përkrahur edhe nga studentët.
Kanë hyrë në javën e katërt të grevës por duke parë që nuk po u bëhet zgjidhje, punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës kanë vendosur edhe të protestojnë
Ata kanë shprehur shqetësime se prej vitesh kanë mbetur me pagë minimale prej 250 eurosh.
Thonë se me kërkesat e tyre që kanë bërë tash e një vit, askush nuk është marrë.
“Nuk kemi ardhur me dëshirë këtu, por këta nuk po dëshirojnë ta lëvizin pagën bazë që do të thotë se paga bazë është 332 euro. Ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë dhe të bisedojmë, por këta nuk po duan të dëgjojnë për ne”, ka deklaruar përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit në sindikatën private, Arsim Xhinovci.
Punëtori i sigurimit Zeqir Krasniqi, ka thënë se ai varet nga paga prej 250 eurosh.
“Në qoftë se edhe 1 javë nuk dalin pagat e mia për familjen time, unë do të mbeti në mëshirën e atyre policëve kolegëve mbrapa meje sepse edhe ata me 250 euro nuk mund të mbijetojnë dhe nuk mundet asnjë person me mbijetuar sot me 250 euro”, ka theksuar ai
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azem, ka thënë se këta punëtorë janë të vendosur në realizimin e kërkesave të tyre.
“Me kohë i kemi paralajmëruar për grevë dhe tani kemi hyrë në javën e katër të grevës dhe institucioni që e kemi mbrapa nuk po çon peshë dhe dialogu deri më tash është zero. Ju garantoj se ne jemi më të fortë, ju pa neve nuk mund të punoni dhe ne pa juve mund të punojmë. Është një symbyllur para interesave të punëtorëve sepse ky elektorat ka publikuar tender që kompania të marr punën me 292 euro dhe neve të na kontraktojnë. Ata kanë nënshkruar një kontratë tre vjeçare për të cilën ne ju kemi thënë dhe prapë po ju themi, ne nuk e pranojmë dhe ne nuk do të kthehemi ta kryejmë këtë”, ka deklaruar Azemi.
Protestën e tyre e kanë përkrahur edhe një pjesë e studentëve.
“Ne e kemi bojkotuar procesin mësimor për arsyeje se fakulteti filozofik është i papastër si pasojë e grevës prej stafit teknik. Kjo greve ka ardhur si pasojë e pagës së ultë minimale prej 250 euro të cilët mendojnë se është një pagë shumë e ultë”, ka theksuar aktivisti i organizatës “Reforma”, Lulzim Spoi.
Studenti Orines Gashi ka thënë në shenjë pakënaqësie kanë bojkotuar ligjëratat
“E kemi pasur një aksion simbolik të premten dhe e kemi pastruar së bashku me profesorët fakultetin, por prapë se prapë po shkon duke u grumbulluar bërlloku. Sot së bashku me organizatën ‘Reforma’ që qeveris në fakultetin filozofik e kemi marrë një aksion dhe e kemi bojkotuar mësimin dhe ligjëratat nuk ka pasur student që i kanë mbajtur ligjëratat në mbështetje të stafit teknik dhe kërkojmë që sa më shpejtë të zgjidhet pak kjo çështje sepse është pak e zorshme dhe e vështirë për ne studentët të mbajmë mësim në atë lloj ambienti”.
Punëtorët paralajmëruan se protestat dhe greva do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim deri në shqyrtimin e kërkesave të tyre.