Aktivistet të cilat i kanë prirë marshit për 8 Marsin e kanë denoncuar pandëshkueshmërinë e përgjegjësve për krimet e kryera ndaj grave. “Vetëm në javët e fundit ne u përballem me kthimin në rigjykim të vrasësve dhe dhunuesve të Marigona Osmanit, me kthimin në rigjykim të vrasësit të Sadie Godenit, me deputet e deputete që flasin haptas dhe me krenari kundër të drejtës së grave për të vendosur për trupat e tyre, shpërndarjen e fotografive intime të grave pa lejen e tyre dhe ngacmimin e shantazhimin e tyre nga një grup ku bëjnë pjesë qindra e mijëra burra”, ka thënë Anita Mjeku, njëra prej organizatoreve të protestës në kryeqytet
Në ditën e ndërkombëtare të tyre, me qindra gra kanë hequr dorë nga festa të premten dhe kanë marshuar nëpër sheshet qendrore të Prishtinës për të kërkuar barazi dhe drejtësi për to.
Kur kanë mbërritur te sheshi “Skënderbeu”, ato janë përplasur me pjesëtarët e policisë, pasi që nuk u është lejuar që t’i ofrohen objektit të Qeverisë.
Aktivistet të cilat i kanë prirë marshit për 8 Marsin e kanë denoncuar pandëshkueshmërinë e përgjegjësve për krimet e kryera ndaj grave.
“Vetëm në javët e fundit ne u përballem me kthimin në rigjykim të vrasësve dhe dhunuesve të Marigona Osmanit, me kthimin në rigjykim të vrasësit të Sadie Godenit, me deputet e deputete që flasin haptas dhe me krenari kundër së drejtës së grave për të vendosur për trupat e tyre, shpërndarjen e fotografive intime të grave pa lejen e tyre dhe ngacmimin e shantazhimin e tyre nga një grup ku bëjnë pjesë qindra e mijëra burra”, ka thënë Anita Mjeku, njëra prej organizatoreve të protestës në kryeqytet.
Në marshin e organizuar nga Kolektivi i Grave është shprehur solidaritet edhe me gratë e Palestinës dhe me të tjera që ky 8 Mars i ka gjetur në situatë lufte.
“Lufta është produkt i patriarkatit. Ne marshojmë kundër luftës dhe marshojmë për popujt e shtypur gjithandej. Përpjekja jonë për një jetë më të mirë dhe rezistenca jonë e përbashkët nuk ka përfunduar. Ne kemi kaq shumë beteja për të fituar, për të qenë të barabarta dhe njerëz të lirë”, ka theksuar Mjeku.
E, brenda ndërtesës së Qeverisë, në një aktivitet të organizuar për 8 Mars, kryeministri Albin Kurti ka thënë se institucioni që ai e drejton është duke krijuar kushte më të mira për gratë, duke i ndihmuar me shtesa, bursa, grante dhe me punësim.
“Synimi ynë për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë. Politikat feministe po e ruajnë dhe po e përparojnë demokracinë ngado sot. Ato e kanë fituar luftën politike, sepse tashmë nuk ka dyshime më, pasi këto të dyja mund të ecin vetëm bashkë. Ky është edhe shteti për të cilin punojmë për çdo ditë, demokrat po, por edhe feminist gjithsesi”, ka thënë Kurti.
Edhe përfaqësues të tjerë shtetërorë kanë shprehur zotimin për të ndërmarrë politika në funksion të barazisë për gratë.
Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se forca, qëndrueshmëria dhe zelli i pashoq i grave për emancipim të vazhdueshëm, zhvillim e barazi, qëndrojnë fort në themelet e Republikës.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas shënojmë arritjet e grave dhe vajzave dhe përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre në Kosovë dhe kudo në botë për të drejta të barabarta”, ka shkruar Osmani në Facebook.
E kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se duhet përfituar nga 8 Marsi, për reflektim dhe angazhim të pandërprerë, deri në emancipim të plotë, i cili i përmbush të gjithë.
“Pabarazia gjinore shpërfaqet në sferën shoqërore, politike dhe ekonomike, e mirëmbajtur edhe nga gjuha që e normalizon atë. Sa më shumë e reflektojmë dhe e shprehim në kritikë kur e evidentojmë këtë pabarazi, aq më shumë zgjerohet mundësia e emancipimit, si përparim diskursi shoqëror dhe kornize ligjore, si kapërcim në ndërveprimin socio-kulturor dhe ushtrimin institucional”, ka shkruar ai në Facebook.
Por, përfaqësuesit institucionalë janë kritikuar nga një numër i aktivisteve të të drejtave të grave. Në një letër të hapur drejtuar institucioneve publike, ato kanë shprehur kritikën që ka mbetur pa përkujdesje monumenti “Heroinat” në kryeqytet, i cili u është kushtuar grave të përdhunuara gjatë luftës.
“Mospërkujdesja ndaj këtij memoriali dëshmon mospërkujdesjen e sakrificës së luftës së mijëra grave e vajzave e në veçanti viktimave të dhunës seksuale”, ka thënë Feride Rushiti, drejtoreshë në Qendrën kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës (QKRMT).
Që nga fillimi i shekullit të kaluar, Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet për çdo 8 Mars, dhe e përkujton lëvizjen për barazi. Në këtë datë, gratë gjithandej botës bashkohen për të kërkuar më shumë të drejta.