LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Drafstatuti i BE-së për Asociacionin, s’është obligativ për Kosovën

Draftstatuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Brukseli, nuk është obligativ për Kosovën, shprehu qëndrimin kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Sipas tij, Serbia po e trajton marrëveshjen bazë si tavolinë suedeze, dhe se edhe Kosova duhet të sillet njësojë – të marrë nga ajo vetëm gjërat që i pëlqejnë.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë që t’i propozojë Kosovës draftstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Albin Kurti është pajtuar në parim me përmbajtjen e draftit të ofruar nga Brukseli, por Konjufca tha se dokumenti nuk mund të jetë obligativ.

“Unë nuk mendoj se është kompetencë e BE-së, t’i propozojë draft Kosovës dhe nuk mendoj që Kosova duhet gatitu me ndejt dhe me dërgu draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedure. Nuk shkruan kurrkund. Nuk është obligative për Kosovën”, ka thënë Konjufca.

Drafti i ofruar tetorin e vjetëm parasheh që ai të përcillet për vlerësim në Kushtetuese. Vetë Konjufca pati thënë atëkohë se, bazuar në leximin që ia ka bërë, është në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit.

“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm një shikim sipërfaqësor. Po është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë”, qe shprehur ai më 25 tetor.

Ndërkombëtarët kanë rritur presionin ndaj Kosovës, për ta përcjellë draftstatutin në Gjykatë, si veprim nismëtar që do t’i jepte rrugë themelimit të Asociacionit. Por Konjufca, sikurse edhe Kurti, ka insistuar se asnjë veprim nuk mund të ndërmerret pa u nënshkruar nga Serbia dokumentet e dakorduara në Bruksel e Ohër.

“Nëse Serbia marrëveshjen nuk e konsideron të Ohrit por e konsideron tavolinë suedeze, edhe ne do ta konsiderojmë tavolinë suedeze. Do të marrim nga ajo vetëm çka na pëlqen, Asociacionin nëse nuk na pëlqen nuk do ta marrim. Por nëse marrëveshja është obligative 100 nuk do të kemi qare pa e zbatuar secilën”, ka thënë ai.

Ndërkombëtarët kanë insistuar se draftstatuti i propozuar ka marrë në konsideratë vijat e kuqe të palëve dhe se ai është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.