LAJMET E MBRËMJES

Bislimi akuzon Lajçakun për shkelje të parimeve, refuzon takimin

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ka pranuar kërkesë nga Brukseli zyrtar për një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi gjatë javës së ardhme, në të cilën do të diskutohet mbi çështjen e dinarit.

Por bëri të ditur se si kryenegociator i Kosovës ai nuk do të marrë pjesë në këtë takim pasi, siç tha, dinari nuk është pjesë e dialogut.

Bislimi, pas një tryeze të organizuar nga Qendra për Dialog Humanitar, e akuzoi emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, për shkelje të parimeve të procesit.

“Zotëri Lajçak ma ka dërguar shkresën mua, sepse vazhdimisht komunikon me mua dhe mendoj që ai ka shkelur parimet, të cilat i ka vendosur vetë. Për arsye se është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim paraprak me palët dhe është munduar që ta përcaktojë edhe agjendën, përkundër parimit që ia ka vendosur në vitin 2021 që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve. Por ftesa ka ardhur në adresën time”.

Ai tha se ende nuk është vendosur se kush nga Kosova do të marrë pjesë në takim.

Takimi në Bruksel është thirrur pas kritikave të shprehura nga faktori ndërkombëtar lidhur me Rregulloren e Bankës Qendrore që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.

Për çështjen e dinarit u diskutua edhe në tryezën e Qendrës për Dialog Humanitar, me temën: “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”.

Gordana Gjoriq, përfaqësuese e shoqatës së grave afariste “Avenija”, vlerësoi se vendimi që e ndalon dinarin është marrë në mënyrë add hoc dhe se para kësaj do të duhej që qytetarëve serbë t’u jepej më shumë kohë për t’u përgatitur.

“Shumica e tyre nuk kanë xhirollogari, e derisa të hapet një xhirollogari nevojitet të kalojë kohë. Derisa krejt kjo të zbatohet, përsëri nevojitet njëfarë kohe dhe ata në ndërkohë duhet që disi të jetojnë. Prandaj dhe thash, vendimet që merren add hoc i dëmtojnë drejtpërsëdrejti njerëzit dhe krijohet mosbesim i madh, si dhe frikë”.

E Nenad Radosavleviq, drejtor i RTV “Paqja”, e sheh si të zgjidhshëm rregullimin e çështjes për serbët që pranojnë pagesa në dinarë nga Serbia.

“Ata që deri më tani kanë pranuar diçka në dinarë në territorin e Kosovës janë të kombësisë serbe. Ata munden që nga Republika e Serbisë, nëpërmjet Bankës Qendrore Evropiane, të dërgojnë në xhirollogaritë e pensionistëve dhe të gjithë të tjerëve që kanë kartela bankare, e atyre që nuk kanë, t’u mundësohet që sa më parë ta bëjnë këtë dhe të pranojnë po të njëjtat që i kanë pranuar në euro. Dhe problem është i zgjidhur”.

Zëvendëskryeministri Bislimi paralajmëroi në këtë tryezë se gjatë ditëve të ardhshme Qeveria do të dalë me një listë prej 10 masash, me anë të së cilave do të tregojë se si do të kujdeset që qytetarët të mos dëmtohen gjatë fazës transitore deri në zbatimin e plotë të Rregullores së BQK-së.