LAJMET E MBRËMJES

Protesta e ftuar nga pensionistët dhe e prirë nga Lista Serbe, kërkesë kishte lejimin e dinarit

Rreth 1 mijë e 800 persona iu përgjigjen të hënën thirrjes për protestë në Mitrovicë të Veriut, e mbajtur për të kundërshtuar rregulloren e BQK-së. Protesta u tha se është ftuar nga pensionistët, por në krye të saj ishin udhëheqës të Listës Serbe. Përfaqësues të kategorive të ndryshme shoqërore kërkuan anulimin e rregullores që përcakton euron si valutën e vetme për operacione me para të gatshme në Kosovë. Protesta, e cila zgjati rreth gjysmë ore, përfundoi e qetë

Kundërshtimi për të pranuar euron si valutë zyrtare, nxori në rrugë disa qindra serbë në veri të Kosovës.

Protesta u tha se është ftuar nga pensionistët, por në rendin e parë të saj të rreshtuar ishin udhëheqës e përfaqësues të Listës Serbe.

Përveç flamujve të Serbisë, protestuesit në duar mbanin edhe pankartat si: “Pensionin që e kam fituar tërë jetën, nuk e jap për Kurtin”, “Evropë hapi sytë”, e “Rezoluta 1244, SHBA na ndihmo”.

Përfaqësues të pensionistëve e të institucioneve paralele në arsim e shëndetësi, kërkuan anulimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit të Serbisë.

“Vendimi për të anuluar dinarin dhe në këtë mënyrë të na e pamundësojë mbledhjen e pensioneve të fituara me punën tonë - fjalë për fjalë do të thotë se po anulojmë edhe një copë bukë, jetën. Nëse dihet që në dyqanet tona është e pamundur të marrim ushqime serbe, në barnatore nuk ka ilaçe tona, po sikur të mbetet në fuqi ky vendim? Çfarë do të ndodhë me ne nesër?", ka thënë Dushanka Gjorgjoviq nga Shoqata e Pensionistëve serbë.

Ata shprehën shqetësimin lidhur me pagesat që ua bënë Serbia në dinarë. Sipas profesoreshës Dragana Milenkoviq, vendimi i BQK-së nuk është hap drejt paqes e stabilitetit.

“Ky vendim vë në pikëpyetje se si prindërit do të blejnë ushqime për fëmijët e tyre, si do të marrin studentët bursa, si dhe nga çfarë do të paguajnë tarifat e shkollës, do të paguajnë provimet”, ka thënë Dragana Milenkoviq, profesoreshë.

Rregullorja e BQK-së, sipas nënkryetarit të Listës Serbe, Dragisha Milloviq, prek kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.

“Ky vendim është kundër popullit serb që të mbijetojnë në këto treva. Ky vendim është që t’i ndërpresë institucionet serbe në Kosovë. Kjo është edhe kundër një pjese të shqiptarëve që marrin pensione në dinarë. Edhe pas 25 viteve duhet që ne t’i kallëzojmë botës, Evropës që ne jemi qytetarë të shtresës së dytë. Kjo i prek ata që janë më të dobëtit e shoqërisë, pensionistët e ata qe marrin ndihmë sociale”, ka thënë Dragisha Milloviq, nënkryetare e Listës Serbe.

Protesta, e cila zgjati rreth gjysmë ore, përfundoi e qetë, derisa për mbarëvajtjen e saj u kujdes Policia e Kosovës. Në terren u panë edhe karabinierët.

Sipas Policisë, në protestë morën pjesë rreth 1 mijë e 800 persona, derisa kishte edhe të atillë që në Mitrovicë erdhën në mënyrë të organizuar.