LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë e Gjilan futen në grevë

Qindra punëtorë teknikë në institucionet arsimore në Prishtinë dhe Gjilan kanë hyrë në grevë të hënën. Këta punëtorë, të cilët janë të angazhuar nga kompanitë private kërkojnë që të paguhen njëjtë si kolegët e tyre të cilët marrin paga nga buxheti i shtetit, meqë thonë se e kryejnë punën e njëjtë

Hapësirat e katërmbëdhjetë institucioneve arsimore në Komunën e Prishtinës nuk janë pastruar gjatë ditës së hënë, pasi rreth 120 punëtorë teknikë të angazhuar nga kompanitë private, kanë hyrë në grevë, në shenjë pakënaqësie për pagat që marrin.

Ata kanë kërkuar që të paguhen njëjtë sa kolegët e tyre, të cilët marrin paga nga buxheti i shtetit.

Nadire Buzaku, e cila punon në shkollën fillore “Naim Frashëri”, ka thënë se paga prej 270 eurosh është e pamjaftueshme për t’i dalë në ndihmë familjes së saj.

“270 euro që i kemi nuk po na dalin me të gjitha shpenzimet që i kemi, për këtë arsye jemi në grevë. Kemi kërkuar çdo herë përmes protestave dhe grevave dhe kurrgjë nuk kanë bërë. Asnjë shtet nuk është më keq se ne”, ka thënë ajo.

E Feim Bislimi, i cili për 20 vjet u përkujdes për mirëmbajtjen e shkollës së mesme ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, ndër vite ka pasur pagë të ndryshme. Ai tregon se varësisht nga qeverisja lokale, edhe rroga e tij ka ndryshuar.

“Diku në vitin 2015 për e kemi pasur pagën e njëjtë si këta të sektorit publik. Tani e kemi vetëm 250 euro e kolegu im që paguhet nga shteti i merr 410 euro”, ka thënë ai, teksa ka vazhduar të tregojë zhgënjimin me trajtimin që është duke iu bërë. “Për shkak të moshës, ne s’po mundemi me shku në ndërtimtari të punojnë, pasi nëse do të shkonim atje do t’i fitonim 500-600 euro në muaj. Mendojmë ta lëmë krejt, pasi me të vërtetë jemi lodhur”, ka shtuar Bislimi, që është afër të pensionohet.

Komuna e Prishtinës angazhon kompani private me kohëzgjatje deri në 1 vit për t’i mirëmbajtur disa nga institucionet arsimore. Nga ky proces, Bislimi thotë se shpesh herë penalizohet.

“Vitin e kaluar kam punuar një muaj pa pare, nuk më kanë kompensuar asgjë pasi i ka skaduar kontrata kompanisë dhe kanë shkuar në shtëpi të gjithë, e pastaj kam mbetur këtu vetëm unë e na kanë vazhduar bashkëpunimin me kontratë mbi vepër për tre muaj, deri sa është kontraktuar një kompani tjetër”, ka theksuar ai.

Mungesa e punëtorëve për pastrimin e objekteve shkollore ka shqetësuar nxënësit. Ata druajnë për shëndetin e tyre.

“Nëse shkolla nuk pastrohet normal që kjo ka me ndiku në shëndetin tonë, pasi ne të thithim oksigjen të papastër dhe normal që në organizëm tonë ka me depërtuar oksigjeni dhe s’do të jemi mirë me shëndet”, ka thënë Albina Maqedonci, nxënëse në shkollën “Hoxhë Kadri Prishtina”.

Njëjtë si ajo mendon edhe kohaniku i saj, Art Osmani.

“Për mua është e rëndësishme pastërtia pasi gjysmën e ditës e kalojmë në shkollë dhe normal që kemi dëshirë të kemi pastërtinë në nivel në shkollë”, ka thënë 16-vjeçari.

Për situatën e krijuar nuk janë përgjigjur as nga kompania kontraktuese e as nga Komuna e Prishtinës.

E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka dhënë një paralajmërim që mund t’i dëmtojë të gjitha palët.

“Këtë javë do të negociohet, nëse nuk arrijmë të negociojmë, javën tjetër të gjithë punëtorët do t’i lirojnë vendet e tyre të punës dhe do të vijnë punëtorë të tjerë”, ka thënë ai.

Në grevë kanë hyrë edhe rreth 280 punëtorë teknik në komunën e Gjilanit. Përfaqësuesi i tyre Nexhat Veseli, ka thënë për KOHËN se gjatë ditës së hënë, komuna u ka premtuar se pagat e tyre do të rriten për 60 euro. Ai tha se për ndërprerjen ose jo të grevës do të vendoset gjatë ditës së martë.

“Kemi biseduar sot gjatë ditës me kompaninë kontraktuese, por s’kanë arrit me bë ndonjë zgjidhje. Pastaj kemi shkuar te zyra e kryetarit, edhe na kanë premtuar që do të na rrisin pagat për 60 euro nga ky muaj e do t’i marrim në mënyrë retroaktive edhe për muajin janar”, ka thënë Veseli.