Bashkimi Evropian ka dënuar sërish festimet e 9 janarit nga Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë derisa ka bërë thirrje për respektim të integritetit dhe sovranitetit territorial të saj. E presidenti i etnitetit të serbëve, Milorad Dodik, ka kërcënuar sërish më shkëputjen e serbëve duke kundërshtuar edhe ulësen në OKB.
Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, nuk ka hequr dorë nga kërcënimet e tij me shkëputje të serbëve nga Bosnjë-Hercegovina.
Në një konferencë për media, Dodik ka thënë se nuk kanë nevojë për ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Republika Sërpska ka nivel të lartë të pavarësisë. Hipotetikisht, RS-ja s’duhet të ketë ulëse në OKB, ka të tjerë që e kanë”, tha Dodik.
Qeveria e Dodikut ka organizuar festimin e 9 janarit, festë kjo e shpallur e paligjshme në Bosnjë.
Në Bashkimin Evropian thanë se festimi i kësaj date është i jashtëligjshëm, derisa theksuan se integriteti territorial i Bosnjës duhet respektuar.
“Pozicioni i BE-së ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i qartë për Bosnjë- Hercegovinën. Ai pozicion është se sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues duhen të respektohen. Të gjithë në Bosnjë-Hercegovinë duhet ta kenë parasysh këtë. Të gjithë duhet të përmbahen nga retorika që vë në dyshim këto parime, sidomos në Republikën Sërpska”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano iu ka bërë thirrje vendeve fqinje, sidomos Serbisë, që të mos vënë në dyshim sovranitetin e Bosnjës, derisa ka paralajmëruar pasoja serioze për ata që veprojnë ndryshe.
“Bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë janë vlera dhe kushte që duhen të respektohen nga të gjitha shtetet e rajonit që duan të integrohen në BE. Veprimet, deklaratat, apo gjestet që kanë ndikim negativ në bashkëpunimin rajonal dhe në fqinjësinë e mirë, që ndikojnë në thellimin e ndasive nuk ndihmojnë. Bëjmë thirrje, sidomos për Serbinë, që të veprojë me përgjegjësi dhe të mos i vërë në dyshim këto parime”, tha Stano.
Mesazh për çështjen territoriale të Bosnjës e kundër politikave të udhëheqësit të serbëve përçuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa dy avionë ushtarakë amerikanë fluturuan mbi këtë shtet.
Në lidhje me këto fluturime, ironizoi Dodiku duke thënë se do të kontribuojnë në festimet e së martës.
Por, ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, stërvitjet ushtarake të SHBA-së mbi Bosnjë-Hercegovinë i ka cilësuar mesazhe të qarta për Serbinë e Rusinë.
“Në të dy shtetet, pala që synon destabilizimin është Serbia. Kështu, edhe SHBA-ja edhe NATO-ja i kanë dhënë mesazhe të qarta Serbisë që të mos tentojë destabilizimin e Ballkanit. Serbia, si faktori i vetëm i destabilitetit në Ballkan, është e pushtuar me dashje nga Rusia. Përmes Qendrës Ruse të Spiunazhit në Nish, Rusia ka shtrirë jo vetëm ndikimin në vendimmarrje, por është pjesë kryesore e vendimmarrjes në Serbi”, tha Ramadani.
Udhëheqësi i serbëve në Bosnjë, Milorad Dodik, edhe më herët ka përmendur mundësinë e shkëputjes së etnitetit që përfaqëson nga Bosnjë-Hercegovina.