Policia e Kosovës ka prezantuar raportin preliminar për vitin 2023. Drejtori i përgjithshëm i saj, Gazmend Hoxha, ka thënë se sfidë për Policinë ishin rasti në Banjskë dhe protestat e shumta në maj të këtij viti
Ndër sfidat më të mëdha për Policinë e Kosovës në vitin 2023 është vlerësuar rasti i 24 shtatorit në Bansjkë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë të enjten në konferencën përmbyllëse për vitin 2023, se Serbia mbështeti grupet serbe në veri për të kryer sulme dhe protesta të dhunshme e këto u bazuan në hetimet që po zhvillohen nga hetuesit policorë.
“ Janë protestat dhe sulmet e dhunshme nga grupet kriminale dhe strukturat e tjera dhe grupe terroriste që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, kanë sulmuar grupin, kanë sulmuar gazetarë, qytetarët pronën e tyre, sidomos pas vendosjes së kryetarëve të komunave më datën 26 maj”, ka thënë drejtori Hoxha.
Ai ka thënë se janë shkatërruar 23 grupe kriminale.
Hoxha u shpreh se gjatë këtij viti është themeluar edhe Drejtoria e veçantë për Hetime të Krimeve të Luftës në Kosovë, ku deri më tani 14 raste janë të ngritura, janë arrestuar 12 të dyshuar e janë ngritur 22 kallëzime penale.
“Te vrasjet kemi pasur ngritje gjatë këtij viti, nga 20 që kanë qenë vitin e kaluar, 28 janë në këtë vit, ngritje për 40%, grabitje kemi pasur rënie -4.70% nga 85% në 81%. Nga niveli qendrorë i Policisë, janë lëshuar 73 urdhëra operativ, kemi pasur 83 vizita ndërkombëtare të delegacioneve të huaja, kemi asistuar institucionet vendore e ndërkombëtare me 6602 raste”, ka theksuar Hoxha.
E ministri i Brendshëm, Xhelal Svecla, ka deklaruar se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar do të vazhdojë. U shpreh se Policinë e Kosovës askush nuk mund ta zmbrapsë.
“Për neve si qeveri, lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, dhe çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e vendit tonë, dhe qytetarëve tanë, do të vazhdon të jetë prioritet, në këtë kuptim kemi dhënë mbështetjen tonë të parezervë për Policinë e Kosovës, dhe kjo mbështetje do të vijojë e do të rritet më tutje, me angazhim të përbashkët duke njohur sfidat e sigurisë me të cilat përballemi dhe rolin e rëndësinë prej secilit prej jush, arrijmë qëllimet e përbashkëta për vendin tonë”, ka theksuar Sveçla.
Shqetësuese u konsideruan aksidentet me fatalitet gjatë këtij viti.