LAJMET E MBRËMJES

Lirohet Nasim Haradinaj

Gjykata Speciale ka vendosur të enjten, që ta lirojë me kusht Nasim Haradinajn, pasi që ai e ka vuajtur dy të tretën e dënimit të tij për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Vendimi për Haradinajn është marrë dy muaj pas lirimit të Hysni Gucatit, i cili ishte dënuar për të njëjtat vepra

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, është liruar me kusht të enjten nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e ka marrë këtë vendim para dy ditësh. E Haradinaj të enjten ka mbërritur në Kosovë.

Në vendimin për lirim e tij janë përmendur arsye të ngjashme sikurse në rastin e lirimit të kryetarit të OVL-së UÇK-së, Hysni Gucati, në tetor, si rehabilitimi dhe gjendja shëndetësore e familjarëve.
“Në veçanti, kryetarja theksoi se: (1) gjatë seancës gojore, z. Haradinaj kishte treguar shenja të distancimit nga veprat penale për të cilat u dënua; (2) z. Haradinaj gjithashtu kishte treguar disa shenja rehabilitimi;... dhe (5) z. Haradinaj ka kaluar vështirësi, që lidhen me të qenit larg familjes, veçanërisht bashkëshortes dhe vëllezërve të tij, të cilët kanë pasur probleme të rënda shëndetësore”, është bërë e ditur në vendimin për lirimin me kusht të Haradinajt.
Por, për lirim atij i janë vendosur 10 kushte, mes të cilave janë përfshirë ato që të mos komunikojë me mediat pa lejen e gjykatës, që të paraqitet në stacionin policor çdo javë dhe të mos bëjë komente negative për Dhomat e Specializuara, Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe bashkëpunëtorët e kësaj gjykate.
“c) të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga administratorja;
e) të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga kryetarja;
j) të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara dhe ndaj ose rreth zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS së”, thuhet në vendim.
Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së UÇK-së, është shprehur i gëzuar për lirimin e Haradinajt teksa e ka quajtur vendimin si një lajm të mirë pas atij të hidhur për dënimin e Salih Mustafës me 22 vjet burgim.

Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe janë dënuar me nga 4 vjet e tre muaj burgim, për frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, pasi që në tri konferenca në shtator të vitit 2020 shpërndanë lista me emra dëshmitarësh. Këto lista i ka dërguar në zyrë një person tani për tani i paidentifikuar.

Nën akuza për frikësim të dëshmitarëve aktualisht janë rastet e ish-deputetit Haxhi Shalës, Sabit Januzit e Ismet Bahtjarit. E për ta, gjykata ka paralajmëruar të enjten bashkim të procedurës.

Nën dyshime për pengim të administrimit të drejtësisë në qendrën e paraburgimit në Hagë është edhe Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës.