Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Haxhi Shala, e ka bërë paraqitjen e tij të parë në Speciale lidhur me akuzat për frikësim të një dëshmitari. Shala shfrytëzoi të drejtën të mos deklarohet në seancën e parë lidhur me akuzat e prokurorisë
Ish-deputeti Haxhi Shala ka dalë para Gjykatës Speciale të mërkurën. Në paraqitjen e parë para gjyqtarit Nicolas Goillou, ai ka shfrytëzuar të drejtën e tij të mos deklarohet lidhur me akuzat e prokurorisë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe kundër rendit publik. Shala, i njohur gjatë luftës si komandant “Topi”, akuzohet për tri vepra penale: frikësim dhe tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Goillou, e ka njoftuar Shalën për të drejtat e tij, duke përfshirë edhe të drejtën që të mos deklarohet në seancën e parë.
“30 ditë nga dita e sotme do t’ju thërrasim për të pranuar fajësinë apo për t’u vetëdeklaruar i pafajshëm për secilën nga akuzat në aktakuzën e konfirmuar. Nëse dëshironi ju mund ta bëni edhe sot ta pranoni fajësinë apo të deklaroheni i pafajshëm. Rrjedhimisht dua t’ju pyes z. Shala nëse keni pasur mundësinë t’i diskutoni akuzat në aktakuzën e konfirmuar me avokatin tuaj dhe nëse jeni i përgatitur të bëni deklarimin tuaj. Nëse doni të vetëdeklaroheni tani, ju kërkoj të çoheni në këmbë dhe të bëni vetëdeklarimin tuaj z. Shala”, ka thënë gjyqtari Goillou në seancë.
Shala në paraqitjen e tij të parë ka thënë se do t’i shohë të gjitha shkresat e prokurorisë për këtë rast.
"Nuk mund të deklarohem sot, e lë për seancën tjetër”, ka thënë Shala, pasi iu lexua aktakuza në seancën e mbajtur në pasditen e 13 dhjetorit.
Brenda 30 ditësh Shala ka të drejtë të pranojë fajësinë apo të deklarohet i pafajshëm.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon Shalën se ndërmjet 5 prillit dhe 12 prillit 2023 ka ndërmarrë veprime të ndryshme, shpesh në bashkëkryerje me të akuzuarit Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, ku përmes frikësimit apo ofrimit të shpërblimit e kanë nxitur dëshmitarin 1 të tërhiqet nga dëshmia apo të gënjejë gjatë dëshmisë së tij në Speciale.
Aktakuza thotë se ata veçmas takuan dëshmitarin në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.
“Kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në aktakuzë. “Shala kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme dhe ndërmori veprime thelbësore për kryerjen e veprave penale në drejtim të realizimit e qëllimit ose marrëveshjes së përbashkët, ndër të tjera nëpërmjet njërës apo më shumë prej mënyrave të mëposhtme, sikurse përshkruhet me më shumë hollësi në paragrafët 6 deri 18 më si më lart: nën a) në drejtimin, koordinimin, apo/dhe pjesëmarrjen në kontaktet dhe takimet me dëshmitarin 1 një individ të cilin ai besonte ose do të jepte prova ose potencialisht do të ofronte prova në Dhomat e Specializuara apo Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, theksohet më tej në aktakuzë.
Aktakuza e ZPS-së kundër Sabit Januzit e Ismet Bahtjarit dhe ajo kundër Haxhi Shalës kanë dallime të vogla. Ata akuzohen për vepra penale në periudhën e njëjtë, duke u thirrur në nenet e njëjta të Kodit Penal të Kosovës dhe në masë të madhe për vepra penale të kryera si grup. Në versionin publik të aktakuzës kundër Januzit dhe Bahtjarit Shala quhet “bashkëkryerësi 1”. Megjithatë përgjegjësi më e madhe i atribuohet ish-deputetit si udhëheqës i grupit. Atributet e udhëheqjes së veprimeve për tërheqjen e dëshmitarit nga dëshmia e tij nuk i atribuohen Januzit dhe Bahtjarit. Në aktakuzë flitet për dy raste të ndryshme kur këta të akuzuar iu qasën dëshmitarit 1. E para që përmendet është më 5 prill 2023.
“6. Më 5 prill 2023 Shala telefonoi Januzin. Bahtjari më pas e telefonoi Januzin. 7. Më pas, pas thirrjeve kur u konfirmua që dëshmitari 1 ishte në shtëpi, Batjari i shkoi dëshmitarit 1 në shtëpi. Bahtjari i tha dëshmitarit 1 se Shala iu ka qasur së fundi dhe se e dërgoi që t’i thotë dëshmitarit 1 që ta tërheqë dëshminë e tij”, thuhet në aktakuzë.
Edhe më 12 prill, sipas aktakuzës, Januzi shkoi te shtëpia e dëshmitarit.
“Më 12 prill 2023, pak pas thirrjes së Shalës, Januzi shkoi te shtëpia e dëshmitarit 1. Në shtëpinë e dëshmitarit 1, Januzi i tha dëshmitarit 1 se Shala i kërkoi Januzit ta shohë përsëri lidhur me vizitën e Bahtjarit dhe ta kuptojë se cili ishte plani i dëshmitarit 1 dhe se si mund ta zgjidhin çështjen e dëshmisë së tij”, shkruhet ndër të tjera në aktakuzë.
E në pikën 14 të aktakuzës thuhet se dëshmitari 1 i tha Sabit Januzit se do të pranonte ta tërhiqte dëshminë për 200.000 euro.
“14. Konkretisht, Januzi i tha dëshmitarit 1 se Shala i kërkoi Januzit t’ia përcillte mesazhin se nëse dëshmitari 1 e tërheq dëshminë e tij, Shala dhe persona të tjerë të paidentifikuar do t’i ‘ndihmonin’. Dëshmitari 1 iu përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët do t’ia sillnin 200.000 euro, do të merreshin vesh. 15. Dëshmitari nuk e pranoi as nuk e mohoi që ishte dëshmitar. Januzi tha se do t’u thoshte ‘atyre’ se çfarë tha dëshmitari. 16. Pak pas vizitës së tij më 12 prill 2023 te dëshmitari 1, Januzi e telefonoi përsëri Shalën. 17. Si rezultat i kontaktit të dytë, dëshmitari 1 u frikësua edhe më shumë për sigurinë e tij dhe të familjes së tij”, shkruhet në aktakuzë.
Lidhur me atë nëse prokuroria i ndjek dëshmitarët, nëse ata pranojnë të marrin para për dëshminë e tyre nuk janë përgjigjur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, meqë sipas tyre, nuk flasin për çështjet të cilat do t’i parashtrohen gjykatës.
E në pyetjen se cilat janë sfidat kryesore në rastin e krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, shefja e zyrës për informim të Gjykatës Speciale, Anglea Griep, kishte thënë ndër të tjera se rasti kundër Januzit e Bahtjarit e dëshmon rëndësinë e sistemit të Speciales për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Ish-deputeti Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë me vendim të gjyqtarit Goillou. Seanca paraprake e radhës është paraparë më datën 15 dhjetor nga ora 9 e 30.
Së fundi, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë. Ndërkaq, në muajin tetor, janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë, Sabit Januzi e Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales, akuzohen për “frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.