LAJMET E MBRËMJES

Presidenti kroat e ish-presidenti malazias kritikojnë Perëndimin për ledhatim të Serbisë

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, ka kërkuar ndërrim të qasjes së Perëndimit ndaj Serbisë. Sipas tij, Evropa po tregohet e pasinqertë me Kosovën teksa ka thënë se nuk janë të mjaftueshme sanksionet për Serbinë. Perëndimin se po e ledhaton Serbinë e ka kritikuar edhe ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq

Evropa po tregohet e pasinqertë me Kosovën, ka thënë presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Të mërkurën, në ditën e parë të vizitës në Tiranë, Milanoviq ka thënë se është i vetmi joshqiptar që po e kërkon njohjen e Kosovës nga të gjithë.

“Këtë fakt e di e gjithë Evropa, por nuk do ta përmend. Kjo nuk është shumë e mirë dhe e sinqertë. Kjo është e padobishme e madje e dëmshme për ne. Kemi 12 vjet që dëgjojmë argumente të njëjta e ndërsa koha kalon pengesat bëhen më të vështira. Shuma pak gjëra po bëhen”, ka theksuar Milanoviq.

Ai pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kërkuar që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të vihet nën presion dhe të pranojë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Sipas Milanoviqit, më shumë se sanksionet ndaj Serbisë do të kryente punë ndryshimi i qasjes së Perëndimit.

“Vuçiqi nuk është përgjigjur ende. Por sanksionet nuk sjellin asgjë që do sillnin ndryshimin e qëndrimit politik. Këto sanksione vetëm do t’i ndihmonin pushtetarët të mobilizojnë votuesit. Kur i them këto gjëra duket sikur po shkel veten në bisht. Vuçiqi duhet të jetë nën presion për të na dhënë përgjigje”, ka deklaruar Milanoviq.

Perëndimin në lidhje me Kosovën e ka kritikuar edhe ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Ai, në një intervistë për televizionin “Federalna”, tha se lëshimet që iu bënë Serbisë ky vend i përdori për të destabilizuar Kosovën e Ballkanin Perëndimor.

“Besoj se është me rëndësi të përcaktohet se politika e kujt krijoi një atmosferë në të cilën lindi akti terrorist. Unë besoj se ishte politika e bashkësisë ndërkombëtare. Lexoni politikën e partnerëve perëndimorë, lexoni edhe më saktë politikën e Departamentit të Shtetit, pra njerëzve të Departamentit të Shtetit për drejtimin e politikës ballkanike. Ajo politikë, politika e dorëzimit ndaj Serbisë, e bërjes së lëshimeve ndaj Serbisë në këmbim që Serbia të largohej nga Vladimir Putini, por që nuk ndodhi”, ka thënë Milanoviq.

Sulmi në Banjskë është kryer nga një grup serbësh të uniformuar e të armatosur rëndë, në krye me Milan Radoiçiqin, deri vonë nënkryetar i Listës Serbe.