LAJMET E MBRËMJES

Franca kërcënon me pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka kërcënuar sërish Kosovën me pezullim të liberalizimit të vizave nëse nuk mbahet fjala që e ka dhënë Kosova për shtensionimin e situatës në veri e krijimin e Asociacionit. Nga Ministria e Jashtme kanë thënë se nuk janë në dijeni për një proces të mundshëm pezullimi. E njohësit thonë se Franca pa mbështetjen e vendeve të tjera, e ka të pamundur ta ndalojë lëvizjen e lirë të kosovarëve pas 1 janarit.

Me pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën ka kërcënuar presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në vizitën e tij në Tiranë që është vazhdimësi e Samitit të Procesit të Berlinit, e që qëllim ka zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Macroni pati tone kërcënuese për Kosovën.

Ai tha se Kosova nuk është duke e mbajtur fjalën për krijimin e Asociacionit, organizimin e zgjedhjeve në veri dhe pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e kthimin e tyre në institucione, të cilat sipas tij, kanë qenë arsyet se pse Franca e ka pezulluar regjimin e vizave.
“E them me shumë qartësi, kemi bërë një gjest mirëbesimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, kjo (regjimi i vizave v.j.) është pezulluar për shkak të fjalës së dhënë, e cila edhe sot nuk është mbajtur. Po e pres një angazhim serioz të të dyja autoriteteve për të lëvizur përpara në javët e ardhshme. Madje është kusht kyç për paqe edhe në rajon”, tha Macron.

Rrezikun e ndalimit të lëvizjes pa viza në zonën Shëngen pas 1 janarit e ka përmendur edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke thënë se do të ishte dramatike.

Ai ka shtuar se këtë situatë e ka krijuar vetë Kosova duke krijuar argumente, që sipas tij, po i mërzit e zhgënjen aleatët e saj.

“Mua më rrëqethet mishi kur mendoj që mund të ketë rindalesë në procesin e liberalizimit të vizave, por në anën tjetër nuk duhet të rrimë ta kërkojmë te Presidenti i Francës. Duhet ta kërkojmë te vetja dhe duhet ta bëjmë ne paqen, duhet ta bëjë Kosova pjesën e vetë dhe pastaj le t’ia lërë Serbinë në dorë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Rama.

Në vend të qartësimit të situatës se a ekzistojnë mundësi pezullimi të liberalizimit, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka shpërndarë në rrjete sociale një flamur të Francës me mbishkrimin “Ja pra”.

Por, zëvendësi i saj në një përgjigje për KOHËN u shpreh se MPJ-ja nuk ka njoftim zyrtar, qoftë për vendim apo inicim të pezullimit të vizave për Kosovën nga ana e Francës.

E njohësi i çështjeve të integrimit evropian, Demush Shasha nga Instituti EPIK, është shprehur se Franca e vetme e ka të pamundur ligjërisht ta pezullojë liberalizimin e vizave.

“Nëse presidenti Macron ka një qëndrim të ri lidhur me liberalizimin e vizave është mirë të sqarohet. Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vetë të pezulloj liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme”, tha Shasha.

Në konferencën e përbashkët, Macron ka folur shkurt edhe për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit për të cilin i ka kërkuar Serbisë që ta dënojë ashpër.

“Mendoj se është përgjegjësia e zotit Vuçiq që të dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë”, tha Macron.

E Rama shtoi se ka qenë skandaloze shpallja e zisë nga Serbia për terroristët e vrarë.

Tha se pas hetimeve pret edhe hapa ndëshkues nga BE-ja nëse ka implikim të Serbisë në sulm.

Gjatë takimeve të një dite me parë që janë bërë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së ta ndëshkojnë Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë.