LAJMET E MBRËMJES

Një i vrarë dhe një e plagosur në Podujevë

Një person rreth 30-vjeçar ka mbetur i vdekur dhe bashkëshortja i është plagosur nga të shtëna me armë zjarri në një qendër tregtare në Podujevë. Në momentin kritik viktimat kanë qenë bashkë me djalin rreth 4-vjeçar, por që ai ka shpëtuar pa lëndime. Në Polici dhe Prokurorinë e Shtetit kanë thënë se kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti dhe identifikimin e të dyshuarve

Një person rreth 30 vjeç ka vdekur nga të shtënat me armë zjarri dhe bashkëshortja e tij është plagosur mesditën e së hënës në Podujevë. Ngjarja ka ndodhur brenda hapësirave të një qendre tregtare në rrugën kryesore të qytetit “Zahir Pajaziti”. KOHA është informuar se në momentin kritik viktimat kanë qenë bashkë me djalin rreth 4-vjeçar, por që ai ka shpëtuar pa lëndime.

Në Policinë e Kosovës kanë thënë se janë duke punuar në zbardhjen e rrethanave që ka ndodhur ngjarja.

“Rreth orës 12:30 është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’, në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjentë është konfirmuar se një person është pa shenja jete, ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur. Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes, si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”, ka thënë zëdhënësi në Policinë e Kosovës, Agron Borovci.

E plagosura është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, kurse i vrari ka qëndruar disa orë brenda qendrës tregtare dhe nga aty është bartur nga përfaqësues të Mjekësisë Ligjore rreth orës 16:00.

Zëdhënësja në Prokurorinë e Shtetit, Laureta Ulaj, ka thënë se pas marrjes së informatës nga Policia prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ Podujevë, nga të shtënat me armë zjarri, një person nuk ka mundur t’u mbijetonte plagëve të marra nga arma e zjarrit, me ç’rast nga ekipi mjekësor është konstatuar pa shenja jete, ndërkaq një person tjetër është plagosur dhe është dërguar për ta marrë ndihmën mjekësore. Aktualisht Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për t’i ndriçuar rrethanat e rastit, si dhe identifikuar personat e dyshuar”, ka thënë Ulaj.

Dorasi kishte ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe deri tash nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje.