LAJMET E MBRËMJES

Kurti përuron rrugë në Çair, premton realizimin e rrugës që lidh Tetovën me Prizrenin

Në Maqedoni ka qëndruar të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka vizituar dy komuna me shumicë shqiptare, ku ka marrë pjesë në përurime dhe emërtime të rrugëve. Ka folur edhe për një projekt që do të lidhë dy komunat, atë të Tetovës me të Prizrenit

Emrin e veprimtarit “Adem Demaçi” do ta mbajë nga e premtja një rrugë në Komunën e Çairit të Maqedonisë së Veriut.

Përurimit të saj iu bashkua edhe kryeministri Albin Kurti. I rrethuar nga dhjetëra qytetarë të Çairit, Kurti së bashku me kryetarin e kësaj komune, Visar Ganiu, zbuluan pllakatin që mban emrin e Demaçit.

Emërimin e kësaj rruge me këtë emër, e vlerësoi lart Kurti.

“Në Kosovë ka disa rrugë që e mbajnë emrin “Adem Demaçi”, por emërtimi i një rruge me emrin Adem Demaçit këtu në Komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut, e ka një rëndësi të veçantë”, tha ai.

Nga Çairi, Kurti u drejtua për në Tetovë, e më pas edhe në një fshat atje, ku mori pjesë në përurimin e një rruge.

Rëndësi të veçantë i kushtoi projektit që në të ardhmen do të lidhë Komunën e Tetovës me atë të Prizrenit.

“Kjo rruga që pamë këtu është rrugë e brendshme e komunës, por ne jemi shumë të interesuar që të ecim sa më shpejt për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit të Tetovës, që në qiell ishin një qytet e në tokë janë dy, përmes aksit I cili parasheh edhe një tunel”, tha Kurti.

Pwr këtë rrugë foli edhe kryetari i Tetovës Bilall Kasami.

“…Urojmë që dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut të ketë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në drejtim të realizimit të rrugës Tetovë-Prizren”, tha ai.

Vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoninë e Veriut nxiti reagime të shumta, pasi ajo është zhvilluar në kohën kur drejtues të partive shqiptare në opozitë – Lëvizja Besa, Alternativa dhe fraksioni i shkëputur nga partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – i kanë intensifikuar përpjekjet për bashkëpunim.

Gjatë kësaj vizite nuk është paralajmëruar se do të mbahet ndonjë takim me përfaqësues të partisë në pushtet.