LAJMET E MBRËMJES

Hajdari padit portalin që publikoi incizimet, autorin dhe një zyrtar të MINT-it

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka dorëzuar padinë ndaj autorit dhe portalit që publikoi audio-incizimet ku flitet për mallin e rezervës shtetërore. Padi ka bërë edhe ndaj një zyrtari të Ministrisë që ajo drejton. Hajdari i ka quajtur publikimet e përgjimeve përpjekje për të cenuar integritetin e saj. Padinë ndaj mediumit dhe vetë atij, autori i raportimit Berat Buzhala, e sheh më shumë si veprim për t’i entuziazmuar militantët partiakë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka dorëzuar të premten padi në Gjykatën Themelore kundër gazetës “Nacionale”, drejtuesit të saj, Berat Buzhala dhe zyrtarit të kësaj ministrie, Enver Hajrullahu.

Padia është bërë pak ditë pasi Nacionalja ka publikuar audio-incizimet që kanë të bëjnë me mallin e paguar, por jo të pranuar për rezervën shtetërore.

Sipas ministres Hajdari, raportimet e fundit nga ky medium janë bërë për të cenuar integritetin e saj.

“Tentimet e dështuara për të cenuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve, por edhe duke i dhënë vetes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë”, ka thënë Hajdari.

Ministrja ka thënë se sulmet, shpifjet, fyerjet dhe të pavërtetat nuk duhet lejuar të kthehen në diçka të zakonshme.

Padinë ndaj mediumit dhe vetë atij, autori i raportimit, Berat Buzhala, e sheh më shumë si veprim për t’i entuziazmuar militantët partiakë.

“Më së pari jam kurioz që ta lexoj padinë, pasi që e kam pak të vështirë me pa se ajo kishte thënë aty për shpifje, për shantazh. Unë nuk i kam kërkuar asgjë në këmbim, se shantazhi nënkupton nëse i kam thënë unë t’u i thanë ama do vaj mua ose ta qes aferën, ajo ish kanë shantazh. Plus në Kosovë me ligjet në fuqi lejohen sinjalizuesit”, ka thënë Buzhala.

KOHA ka provuar që të marrë përgjigje edhe nga zyrtari i Ministrisë së Industrisë, Enver Hajrullahu, por ai nuk është përgjigjur.

Javën e kaluar gazeta “Nacionale” ka publikuar audio-incizime, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.